Në debatin publik mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike, ekspertët kritikojnë mënyrën se si pushteti dhe opozita janë pozicionuar ndaj ligjit. Sipas tyre, para ndryshimit të këtij ligji, duhet ndryshuar dhjetëra ligje që kryqëzohen me punën e Prokurorisë Publike. Akademiku Vllado Kambovski thotë se për të pasur ligj funksional, duhet reformuar prokuroria nga brenda.
Ne nxituam për të reformuar procedurën penale, pa e reformuar Prokurorinë Publike. Pa e pajisur, pa e përgatitur, pa e specializuar, i dhamë kompetenca të mëdha, ngarkesë e tepërt të cilën nuk mund ta përballojë dhe ja dita-ditës po gjunjëzohet”-pohoi Vllado Kambovski, akademik.
Gordana Siljanovska kritikoi mënyrën e propozimit të ligjit. Sipas saj ligji meriton yllin e BE-së, por si fillim në tekst duhet përfshirë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Flamuri i BE-së është flamur i rëndësishëm, por mendoj se ne do të legjitimoheshim në procesin e integrimit Evropian vetëm nëse do ta kishit dërguar këtë ligj në Komisionin e Venecias dhe do të merrnim mendim pozitiv”-tha Gordana Siljanovska, juriste.
Gjatë fjalimit të kryeprokurorit Ljubomir Joveski, deputetët e VMRO-së protestuan. Përmes një parulle të zbuluar në sallën ku po mbahej debati, kërkuan nga Joveski të shpalosë përmbajtjen e letrës së Katica Janevas dërguar atij gjatë kohës së paraburgimit.
Joveski potencoi se me ligjin nuk guxon të bëhet tregti, duke shtuar se partitë politike nuk kanë të drejtë të propozojnë prokurorë përmes zgjidhjeve ligjore.
Me këtë ligj parashikohet që zgjedhja e prokurorëve është kompetencë e Këshillit të Prokurorëve. Ai organ mban përgjegjësi për këtë dhe nuk duhet në zgjedhje profesionale të përshihen partitë politike dhe prokurorët të zgjedhën me propozimin e tyre”-pohoi Ljubomir Joveski, kryeprokuror.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska kërkoi mbështetjen për miratimin e ligjit, duke theksuar se teksti është hartuar në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në. Debatin e ndoqën edhe deputetët e amnistuar, akuzuar dhe dyshuar. Në sallë ishin të ftuar edhe ish prokurorë, prokurorë aktual, profesorë, avokat dhe përfaqësues të sektorit civil. Debati vazhdon edhe të mërkurën, ndërsa më pas dikasteri i Drejtësisë do ta dërgojë ligjin për procedurë parlamentare.