Ka nisur zyrtarisht procedura për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas përfundimit të mandatit të Islam Abazit. Më 28 tetor, prokurorët nga të gjitha prokuroritë në vend do të votojnë për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni, transmeton Zhurnal.mk.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, konfirmoi për televizionin Telma se sot ka nënshkruar shpalljen për zgjedhjen e shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe se ajo është dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare. Afati prej 15 ditësh për paraqitjen e kandidatëve do të fillojë të rrjedhë pas publikimit të shpalljes.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, për prokuror themelor publik në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mund të zgjidhet personi që ka të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë si prokuror publik deri në momentin e aplikimit dhe që ka marrë vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.
Ligji aktual parashikon mandat katërvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë, ndryshimet ligjore që kanë mbetur të bllokuara në procedurë parlamentare për shkak të mungesës së shumicës prej dy të tretash parashikojnë mandat gjashtëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje, si dhe kushtin që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme vetëm nëse në votim marrin pjesë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të prokurorëve publikë.
Islam Abazi u zgjodh në krye të Prokurorisë për Krim të Organizuar pas një procesi zgjedhor ku garuan katër kandidatë. Zgjedhja e tij u shoqërua me reagime të shumta në opinion, pasi në publik u publikuan fotografi të tij me familjarë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke ngritur dyshime dhe kritika për afërsinë e tij me strukturat politike.
Gjatë mandatit të tij, Abazi ka mohuar vazhdimisht pretendimet se ka mbrojtur funksionarë të BDI-së dhe në paraqitjet publike nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë sërish për këtë post.
Në periudhën e fundit, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsionit ishte shpesh objekt kritikash nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski, veçanërisht pas vendimit për ndërprerjen e procedurës lidhur me furnizimin milionësh të mazutit, ku mes të dyshuarve ishin Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski – djali i deputetit të BDI-së Ismail Jahoski – dhe ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski.
Nga ana tjetër, kjo prokurori ka hapur disa procedura kundër funksionarëve aktualë dhe ish-funksionarëve. Mes tyre janë rasti për marrje ryshfeti ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vase Anakiev, si dhe procedura për keqpërdorime me fondet IPARD, ku i akuzuar është edhe ish-drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, Ilija Stoilev.
Gjithashtu, nën aktakuzë u gjet edhe ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska.
Një nga sfidat kryesore me të cilat përballet Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion mbeten mungesa e kuadrove dhe resurset buxhetore. Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit të progresit, vlerësoi se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për një luftë efektive kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. përcjell Zhurnal.mk .



