Nikollovski: Produktet bujqësore nga Maqedonia e Veriut do të eksportohen në Ukrainë pa doganë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë të Ukrainës Taras Kaçka sot në Ambasadën e Ukrainës në Pragë i nënshkruan vendimet për rishikimin e protokolleve të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, Dimitar Kovaçevski dhe Denis Shmihall.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mundësohet eksporti pa doganë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht i frutave dhe perimeve të freskëta. Produktet bujqësore maqedonase, si lakra, mollë, domate, kastravec, rrush dhe të tjera do të eksportohen lirisht në Ukrainë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje arrihet liberalizim shumë më i madh në lidhje me rregullat e origjinës së mallrave”, tha MBPEU-ja.

Ministria thekson se përforcimi i bashkëpunimit vjen në një moment të rëndësishëm për të dyja vendet dhe nga kjo marrëveshje do të përfitojnë populli maqedonas dhe ukrainas.