Nikollovski: Ndalesa serbe për eksportin e grurit dhe misrit nuk vlenë për Maqedoninë

Ndalesa për eksportin e grurit dhe misrit nga Serbia që hyn në fuqi nesër, nuk do të vlejë për vendin. Mullisët tanë do të mund t’i sigurojnë tashmë sasitë e dakorduara, tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.

Nikollovski në konferencë për shtyp, pas kryeministri Dimitar Kovaçevski i bëri të ditur masat e reja për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe të likuiditetit të kompanive, theksoi se në mënyrë intensive po bëhen përpjekje edhe për gjetjen e plasmanit të pemëve dhe perimeve, para së gjithave të pjeshkave, mollës, duhanit dhe rrushit.

Qeveria në periudhën e ardhshme do të mendojë edhe për masa të tjera ndërhyrëse në bujqësi të cilat gjithsesi, nënvizoi Nikollovski, do të miratohen në kohë.

“Me nismën time, sot u mbajt takim onlajn me ministrat e bujqësisë në rajon. Ministri i Serbisë nuk mori pjesë, por ishin përfaqësues të Qeverisë dhe të Kabinetit të tij. Serbia do të marrë ve vendim përkatës, sot ky vendim do të dërgohet deri te të gjithë ne, ministrat e rajonit. U konfirmua se vendimi nuk do të vlejë për sasitë e dakorduara të grurit, të nevojshme për industrinë tonë të mullirit, gjegjësisht se vendimi nuk do të vlejë për rajonin. U dërgua sërish një mesazh qetësie, ku kemi rezerva të mjaftueshme, 45.000 tonë grurë, mbi 10.000 tonë misër, rreth 9.000 tonë elb. Morëm garanci nga Serbia se do të kujdesen për furnizimin me produktet e nevojshme, misër dhe drithëra të tjera për të gjithë rajonin, vendimi nuk do të vlejë për vendet e rajonit”, theksoi Nikollovski.

Lidhur me eksportin në Rusi dhe Ukrainë, ai përsëriti se ato përbëjnë një përqindje shumë të vogël nga eksporti i përgjithshëm i vendit.

“Po i bëjmë të gjitha analizat, përcaktojmë se cilat janë numrat dhe prodhimet që eksportohen në Rusi dhe Ukrainë. Bëhet fjalë për eksporte të vogla, 0,6 për qind në Ukrainë dhe rreth një përqind në Rusi nga eksporti i përgjithshëm të prodhimeve ushqimore bujqësore. Kemi kontakte me odat dhe me përfaqësitë diplomatike, vazhdojnë bisedimet dhe besoj se do të ketë rezultate. Në kohë, së bashku me të gjitha paketat e tjera, do të dalim me masa për të gjitha kategoritë e prodhuesve bujqësorë që të sigurojmë plasman të sigurt”, theksoi ministri Nikollovski.