Nikollovska: Gjykata e Lartë e BDI-së, për pikë politike

Gjykata e lartë për barazi dhe anti-diskriminim është vetëm edhe një ide, të cilën BDI-ja po e përdor për fushatë parazgjedhore, vlerësojnë ekspertët, raporton Alsat. Ish gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca Nikollovska thotë se një gjykatë e këtillë e jashtëzakonshme nuk parashikohet me Kushtetutë, që do të thotë se për instalimin e së njëjtës do të duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe një sërë ligjesh të tjera, gjë që është vështirë të bëhet.

“Nuk ka nevojë për formimin e një trupi të tillë, kur veçmë kemi gjykata të rregullta përfshirë edhe gjykatësit administrativ, që do të thotë se ndiqet puna e të gjitha institucioneve shtetërore. Kemi Gjykatë Kushtetuese që në raste të caktuara është kompetente t’i zgjidh çështjet e barazisë. Por ajo që është momentalisht problematike është mungesa e ligjit, në bazë të të cilit do të duhet të formohet komisioni anti-diskrimin, që sipas parimeve ndërkombëtare do të ishte një trup shtesë që do të punonte në çështjen e diskriminimit. Do të ishte pikëpyetje pse do të bëhej kjo gjykatë e lartë- dejkalroi Margarita Caca Nikollovska, Ish gjykatëse.

Ish gjykatësja Nikollovska thotë se në vend të pikëve politike, fokusi duhet t’i vihet te funksionimi efikas, ligjor dhe transparent i organeve ekzistuese, veçanërisht në kohën kur vendi hapëron drejt BE-së dhe pret të vlerësohet për realizimin e reformave në gjyqësor. BDI ditë më parë paralajmëroi se bashkë me kryeministrin e parë shqiptar, do ta instalojë një Gjykatë të Lartë të Barazisë, e cila do të hetojë të gjitha çështjet e njëanshme gjyqësore dhe administrative dhe do të ketë fuqinë për t’i hedhur poshtë vendimet diskriminuese të të gjitha institucioneve shtetërore./Alsat