Ngritet kallëzim penal ndaj Violeta Kukajt

Këngëtarja e njohur shqiptare, Violetë Kukaj, tash e sa kohë po përballet me disa probleme ligjore.

Kjo pasi familja e ish-burrit e kanë akuzuar atë publikisht në emisionin “Shihemi në Gjyq” në TV Klan, ku kanë adresuar disa çështje të pronësisë.

E lidhur me këto ngjarje, për emisionin Prive ka folur së fundmi avokati Durim Osmani, i cili ka njoftuar se ndaj interpretueses së hitit “Ditën e diel”, është ngritur kallëzim penal.

“Nga ngjarjet që kanë ndodhur në janar 2019 deri në shkurt 2019 janë lëndë nëntë lëndë penale dhe civile që janë ka zhvillohen pranë gjykatave tona ose që kanë përfunduar, një prej të cilave është e ngritur me kallëzim penal nga ana e Faik dhe Metije Retkocerit për disa vepra penale që dyshohet se ka kryer këngëtarja në fjalë”, ka thënë avokati durim Osmani.

Violetë Kukaj (Foto: Violetë Kukaj/Instagram)

Në këtë kallëzim penal përmendet edhe fakti se ari dhe stolitë e nënës së Faik Retkocerit, zonjës Metije (siç pretendon Faiku), i ka vjedhur Violetë Kukaj menjëherë pas lidhjes së kontratës së dhuratës.

“Metije Retkoceri është nëna e Faik Retkocerit, ajo pretendon që stolitë e arit që ka pasur si nuse dhe gjatë jetës nuk janë gjendur në vendin e fundit në banesën ku kanë jetuar, edhe pretendon se i janë vjedhur”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa sipas të njëjtit, çështje tjetër përfshin kalimin e patundshmërisë në rrethana të lajthitjes dhe paaftësisë psikike të personit.

“Edhe pretendimi tjetër është që kontrata e dhuratës për kalimin e dhuratës së dy patundshmërive me vlerë shumë të madhe në Prishtinë nga Faiku te ish-bashkëshortja e tij ka qenë në rrethana të lajthimit, e cila është një vepër penale sipas detyrës zyrtare, sipas kodit paraprak”, ka thënë tutje avokati.

Ndërkohë, vet këngëtarja Kukaj dhe avokati i saj nuk kanë dalë ende me një reagim publik lidhur me çështjen në fjalë.