Ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ndërmarrjes publike “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani, është transferuar nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore e Gostivarit, pas kërkesës së mbrojtjes së Asanit dhe mendimit pozitiv të Prokurorisë Themelore Publike.
Asani është një nga tre personat e dyshuar në rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar. Dy të dyshuarit e tjerë, drejtori teknik Leon Nuredini dhe udhëheqësi i Sektorit të Ujësjellësit, Vadedin Dervishi, vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Të tre dyshohen për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, lidhur me rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në qytet.
Hetimi për rastin është në vazhdim.





