Halil Krasniqi
Varrosja me nderime e një krimineli të dënuar për krime kundër njerëzimit, është një dëshmi se plagët e luftërave në Ballkan ende nuk janë shëruar. Ajo që pamë nuk është thjesht një ceremoni mortore, por një shenjë se një pjesë e shoqërisë serbe ende nuk është përballur me të kaluarën e saj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Nuremberg u gjykuan dhe u dënuan drejtuesit kryesorë politikë dhe ushtarakë të Gjermanisë naziste. Krimet u ekspozuan publikisht dhe shoqëria gjermane u përball me pasojat e luftës: miliona viktima, shkatërrimin e vendit dhe humbje të mëdha territoriale. Kjo përballje e detyroi shoqërinë të reflektonte mbi rrugën që e kishte çuar në katastrofë.
Një proces i ngjashëm, në rrethanat e ish-Jugosllavisë, duhej të ishte zhvilluar në Beograd. Udhëheqja politike, ushtarake dhe ideologjike përgjegjëse për luftërat duhej të gjykohej publikisht para vetë shoqërisë serbe. Populli duhej t’i shihte krimet, përgjegjësit dhe pasojat e politikës së zhvilluar në emër të tij.
Pa një përballje të tillë, shoqëria mbetet e burgosur në mohimin, mitet dhe nacionalizmin e së kaluarës.
Ajo që po shohim sot mund të shihet si një sëmundje kronike e kulturës politike dhe kolektive: një gjendje e ushqyer ndër vite nga propaganda, edukimi nacionalist, urrejtja ndaj popujve të tjerë dhe mospranimi i përgjegjësisë për krimet. Në këtë proces duhet përmendur edhe roli i Kishës Ortodokse Serbe dhe një pjese të klerit, të cilët kanë kontribuar në përhapjen e narrativave nacionaliste, në legjitimimin e ideologjisë së luftës dhe në përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Një gjykim publik i përgjegjësve kryesorë nuk do të ishte vetëm ndëshkim. Do të ishte edhe një proces shërimi kolektiv, sepse do t’i jepte shoqërisë mundësinë ta kuptonte se çfarë kishte ndodhur dhe pse kishte përfunduar në luftëra katastrofike.
Pa këtë shërim, pasojat po i shohim edhe sot. Nderimi i një krimineli të dënuar tregon se një pjesë e asaj ideologjie ende nuk është çrrënjosur. Dhe kjo është ajo që e mban tërë rajonin në tension.
Rreziku është se, nëse një shoqëri nuk e përfundon përballjen me luftën e kaluar, mund të krijojë përsëri kushtet psikologjike dhe politike për një konflikt të ri. Propaganda, urrejtja dhe mitet nuk janë ende luftë, por mund të bëhen përgatitja e saj.
Prandaj, ajo që duhej të ishte bërë në Beograd nuk ishte vetëm dënimi i disa individëve në Hagë. Duhej të zhvillohej një përballje publike me strukturën politike, ushtarake dhe ideologjike që e çoi rajonin në katastrofë.
Pa një përballje të tillë, e kaluara nuk mbyllet.
Dhe ajo që pamë me këtë varrim është një sinjal shqetësues: nëse nuk është bërë shërimi, atëherë kjo mund të jetë vetëm nxehja dhe zgjatja e ekstremiteteve për pjesën e dytë…
Opinione Nga Nurembergu te Beogradi: gjykimi që nuk u bë…



