Nga ndarja me babanë e vajzës deri tek përfshirja në grupin kriminal, kjo është jeta e Elsa Lilës

Gjatë ditës së djeshme, këngëtarja shqiptare, Elsa Lila është arrestuar nga policia italiane.

Së bashku me 13-të të arrestuar të tjerë, këngëtarja dyshohet për trafikim droge.

Lila u vu në pranga bashkë me të tjerët, pasi ata operonin në zonën e Acilias në Romë.

Sipas mediave, aktiviteti koordinohej nga një lokal lojërash fati që kishte grupi në Acilia dhe menaxhohej nga këngëtarja.

Ndërsa artistja shqiptare është bërë kryefjalë e mediave italiane dhe vendase, ajo është përmendur gjithmonë për artin e saj.

Elsa ishte një nga këngëtaret që publiku e përqafoi dhe e deshi shumë. Lila ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në vitin 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH-së. Që atëherë, këngëtarja ka njohur shumë suksese.

Këtë sukses në Shqipëri, Elsa kërkoi ta ndiqte dhe në Itali. Ajo preku skenën e madhe të Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003.

Në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”.

Që atëherë jeta e artistes ka vijuar në Romë. Elsa është nënë e një vajze 10 vjeçare të quajtur Evita.

Prej shumë vitesh, Elsa është tërhequr nga muzika. Në ato vite, në një intervistë të rrallë për jetën private, këngëtarja tregoi se ndodhej me partnerin e saj në Madagaskar, ku dhe zbuloi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ajo tregoi gjithashtu për herë të parë se partneri i saj ishte italian dhe quhej Alessandro.

Ai jetonte prej disa kohësh në ishullin afrikan, por Panorama Plus shkruan se lidhja e këngëtares dhe babait të vajzës së saj ka përfunduar kohë më parë.

Herë pas here ajo është rikthyer për publikun shqiptarë, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme. Kujtojmë prezantimin e Festivalit të RTSH-së për tri netë.

Në atë kohë për mediat u cilësua si rikthimi i madh i saj, por menjëherë pas spektaklit, ajo u rikthye përsëri në Itali, me sytë nga fama ndërkombëtare. Ajo ishte përfshirë në politikë vite më parë, kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe hyri në grevën e urisë në Çadrën para Kryeministrisë.

Në vitin 2010, iu bashkua deputetëve në grevën e urisë, duke bërë thirrje që qytetarët të mbështesnin Partinë Socialiste në kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës.

Në vitin 2013, Rama publikoi foton me këngëtaren duke u përqafuar dhe ku shpjegonte se ajo erdhi nga Italia për të votuar Rilindjen.

Elsa ka pasur një jetë të vështirë në fëmijëri dhe adoleshencë, ndërsa në vitin 1997 humbi tragjikisht të ëmën, violinisten e njohur Eva Vishaj, humbje të cilën ajo e ka vuajtur shumë.