Nga kush u informua Radojçiq për aksionet në veri të Kosovës!? Hidhen dyshime mbi këtë ish-ministër

Në viti në 2019, Milan Radojciq dhe dy persona të tjerë ishin kërkuar me vendim gjykate.

Mirëpo, që nga atëherë nuk është lëshuar asnjë fletarrestim për Radojciq.

Arsyet e zvarritjes së këtij procesi gjyqësor ende nuk janë kuptuar dhe prokuroria nuk e ka zhvilluar hetime më tej.

Lidhur me këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai përmendi faktin se si gjykata në Beograd e liroi dhe pastaj e nisi Radojciq me Veselinoviqin me mision në veri të Kosovës.

“Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, ishin bërë të njohur edhe për vet organet gjyqësore të Serbisë, që nga viti 2011, kohë e cila përkonte me nisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, ndaj gjykatat në Beograd me urdhër politik, i liruan dhe nisën të dy këta, në mision të ri, për ti vendosur në krye të bandave, në veri dhe dirigjuar situatën në këtë pjesë të vendit tonë.

Në fakt Milan Radoiçiq u emërua nga vet Aleksandër Vuçiqi edhe nënkryetar i Listës Serbe, i cili bashkë me dhëndrin e tij kriminelin Zvonko Veselinoviq, ndërlidhen drejtpërsëdrejti edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, deklaroi analisti.

ImageAnalisti politik, Gani Qarri.FOTO GALERI
Gjithashtu, Qarri e përmendi edhe aktakuzën e Speciales për likuidimin e Ivanoviqit.

Po ashtu, ai potencoi se që nga heqja e aktakuzës Radojciq dhe Veselinoviq kanë vepruar lirshëm në Mitrovicën e Veriut.

“Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të nëntorit të vitit 2020, Radoiçiq është përshkruar si “udhëheqësi i grupit të organizuar kriminal”, ku mbizotëron hierarkia udhëheqëse e pjesëmarrësve, i cili ka planifikuar deri në detaje likuidimin e Oliver Ivanoviqit.

Por megjithëse pas kompletimit të dosjes kundër Milan Radoiçiqit, qysh në gusht të vitit 2019,ka ekzistuar urdhri për arrestim, në fillim të marsit të vitit 2021, siç përflitet, me urdhër të Agim Veliut, Milan Radoiçiq është liruar tërësisht nga aktakuza, ndërsa heqjen e aktakuzës kundër Radoiçiqit, asokohe e pati konfirmuar edhe gjykatësi Valon Kurtaj. Dhe që nga heqja e urdhër arrestit për Millan Radoiçiq, ai qëndroi pothuajse rregullisht në Mitrovicën e Veriut, pa asnjë problem apo brengë se do të arrestohet dhe ndiqet penalisht, nga organet e drejtësisë së Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti u befasua se si Prokuroria e Kosovës nuk ka rikonfirmuar aktakuzën dhe kërkesën e re për Radoiçiq dhe Veselinoviq.

“Megjithëse në aktakuzë, Radoiçiq dhe Veselinoviq cilësohen si “udhëheqësit e grupit kriminal”, të cilët kanë planifikuar likuidimin e Oliver Ivanoviqit, të vrarë në janar të vitit 2018, para selisë së partisë së vet në Mitrovicën veriore, përderisa gjykimi për vrasjen e tij, vazhdon në Prishtinë, të akuzuarit kryesor Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radioiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë.

Madje, edhe pse kohët e fundit, kundër Veselinoviqit, është ri ngritur aktakuza, për Milan Radoiçiqin, që nga heqja e aktakuzës kundër tij, as që ka më ri konfirmim të aktakuzës dhe kërkesë të re, nga Prokuroria e Kosovës për ndjekjen penale të tij, gjë që nuk po ndodhë as pas sanksionimit të kriminelit Milan Radoiçiq me shokë, në listën e Departamentit të SHBA-ve”, nënvizoi Qarri.

Madje, analisti hodhi dyshime se Radojçiq është informuar shumë herë për aksionet e policisë në veri të vendit, pastaj ka ikur për në Serbi.

Për këtë gjë, ai ka fajësuar ish-ministrin Agim Veliun për heqjen e aktakuzës ndaj Radojçiq.

“Radoiçiq dhe Veselinoviq, akuzohen që nga aktakuza e parë, në bazë të të cilës me 23 nëntor të vitit 2018, Policia e Kosovës ndërmori një aksion në veri të vendit, për kapjen dhe arrestimin e e tyre, por siç thuhet Milan Radoiçiq ishte paralajmëruar drejtpërsëdrejti nga Prishtina, për aksionin e Policisë, ndaj dhe kishte ikur me kohë në Serbi.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, që nga fillimi, akuzohej edhe vet shef i operativës së Policisë së Kosovës në Veri të vendit tonë Zheljko Bojiq, i pasuar nga kriminelët Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, por të tre këta, sa herë janë rrezikuar nga kapja, janë arratisur në Serbi, ku vazhdojnë të qëndrojnë, përveç Milan Radoiçiqit, të cilit siç përflitet me urdhër të ish ministrit të brendshëm Agim Veliut, i është hequr fare aktakuza dhe të shumtën e kohës, ai qëndron i pa trazuar, dhe shijon lirinë e falur nga ministri i brendshëm i asaj kohe, edhe në Mitrovicën veriore”, tha ndër të tjera analisti.

Më tej, për të rikonfirmuar aktakuzën ndaj Radojçiq duhet të arsyetohet ligjërisht lirimi paraprak nga flet arresti dhe të bëhet ndryshim-plotësimi dhe zgjerimi i aktakuzës.

“Kështu që Prokuroria e Gjyqësia, si dhe i gjithë sistemi i Drejtësisë në Kosovë, pa dhënë përgjigje të qartë, para organeve më të larta të shtetit të Kosovës, opinionit publik dhe gjithë qytetarëve të vendit, për arsyen e lirimit nga aktakuza, të kriminelit Milan Radoiçiq, dhe vendosjen në bankën e të akuzuarve, të Agim Veliut e Abdullah Hotit, nuk mund ta ri ngritë as ri konfirmojë serish aktakuzën e hequr, kundër Milan Radoiçiqit.

Pasi që, për të ri ngritur ligjërisht një fletë-arrest të ri, kundër Milan Radoiçiqit, pikësëpari duhet të arsyetohet ligjërisht lirimi paraprak nga flet arresti, të bëhet ndryshim-plotësimi dhe zgjerimi i aktakuzës, si dhe në të, të përfshiheshin edhe Agim Veliu e Avdullah Hoti, krahas Milan Radoiçiqit”, potencoi Qarri.

Në fund, analisti e citoi kërkesën e kryeministrit Kurti për Këshilli Prokurorial i Kosovës që të reagojë kundër vendimit për heqjen e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit.

“Edhe vet kryeministrit Albin Kurti, pak pas marrjes së mandatit, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të reagojë kundër vendimit për heqjen e urdhër-arrestit ndaj Radoiçiqit, i cili edhe në listën e Departamentit të SHBA-ve, cilësohet si njëri nga kriminelët më të mëdhenj dhe bashkudhëheqësi kryesor bashkë me Zvonko Veselinoviçin i grupeve kriminale në veri.

Prandaj nëse vërtetë është hequr urdhër arresti, siç thuhet, me urdhër të Agim Veliut, kundër Milan Radoiçiqit, dhe as sot nuk arrestohet Agim Veliu si urdhërdhënës për lirimin e tij pa asnjë shpjegim, si dhe Avdullah Hoti, si i pari i Qeverisë së kundërligjshme, të cilët kanë shkelur me të dy këmbët ligjin dhe çdo normë ligjore e rregull juridik të shtetit të Kosovës, asnjë aktakuzë e re, nuk mund të ngritët kundër Milan Radoiçiqit, pa e arsyetuar heqjen e aktakuzës paraprake kundër tij, nga Agim Veliu me pëlqimin e Avdullah Hotit”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.