Nga guri zhivës te pasuria marramendëse multimilionëshe e Sami Lushtakut! / Një ari tokë e bleu 50 euro, ia shiti shtetit 7 mijë

Sami Lushtaku me vendim të formës së prerë, vitin e kaluar nga Gjykata Supreme e Kosovës është dënuar me 12 mijë euro, për shkak të arratisjes nga burgu i Dubravës. Pra, u dënua vetëm me para!Në vitin 2017 Gjykata Supreme e liroi, duke e shpallur plotësisht të pafajshëm në rastin ‘Drenica”, ndërsa ai i kishte kaluar afërsisht katër vjet në paraburgim.

Një grua e ndershme, që punonte pa ndërprerë dhe me shkathtësitë e saja për vite të tëra po e mbante familjen, që të mos gremisej në varfëri, derisa edhe ndonjë nga djemtë u bën të zot edhe pse u detyruan të dalën jashtë atdheut.

Një nga shkathtësitë me të cilat shquhej kjo grua ishte, se dinte të prodhonte gurin e zhivës, të cilin e shiste në tregun e Skenderait, që mbahet ende të hënave.

Ndryshimi i fatit

Zhiva, si quhet në popull është merkuri, i cili në mesjetë konsiderohej si një element magjik, me të cilin alkimistët duke krijuar përzierje të ndryshme, mendonin se do të bënin mrekulli.

Në popull, ato gra që kanë shkrirë zhivë, janë munduar t’ua parathonë fatin të interesuarve, kryesisht të mirat që mund t’i prisnin në jetë, e ndonjëherë edhe ‘rrugët e gjata’, por edhe të papriturat, e ato më të ‘guximshmet’ ua paralajmëronin edhe vdekjen, hatanë apo eventualisht tragjedinë!

Nëna e Sami Lushtakut, nuk merrej me kallximin e fatit, por me prodhimin dhe shitjen e tij, i cili kishte kryesisht destinim estetik.

Por, si duket duke punuar gjatë me gur të zhivës, kjo nënë ia ndërroi fatin përgjithmonë birit të saj Samiut.

Sipas pohimeve në media të vetë Sami Lushtakut, familja e tij i ka pasur tri shtëpi dhe dy lokale para luftës.

Ai për më shumë se 20 vjet është njëri prej komandantëve, sinonim të fuqisë, ndikimit politik, aq sa në disa raste kur deputetët e PDK-së, nuk i bindeshin Hashim Thaçi, ky e dinte se kë duhej dërguar në Kuvend, në sallën e Grupit Parlamentar, dhe ky ua mbante një ‘fjalim’, duke grushtuar tavolinat, sharë nënat atyre që nuk dëgjojnë pa folur me emra, dhe duke i përçmuar dhe ushtruar presion hapur, me rrëzim karrigash e të tjera.

Por, megjithë fuqinë e tij të jashtëzakonshme, që ia jepte, fakti se ishte anëtar i Grupit të Drenicës, ai ishte ndër komandantët e parë që u përplas për muri nga drejtësia, kuptohet nga misioni i EULEX-it, sepse nuk kishte kush ta ‘lidhte’ apo dënonte, prokurorë apo gjykatës shqiptarë.

Madje edhe gjatë kohës sa ai mbahej në burg, thuhej se drejtor i burgut ishte Sami Lushtaku.

Kur e shpallte veten të sëmurë, drejtorët ia caktonin një diagnozë të ‘duhur’. Shtrihej në spital dhe nga aty, shkonte ku të donte në Prishtinë.

Në një proces të dytë gjyqësor, Lushtaku është dënuar për tentimin e ikjes nga burgu, përkatësisht arratisjen nga QKUK-ja të tij, me Sahit Jasharit e Ismet Haxhën, që të tre të akuzuar në Grupin e Drenicës në vitin 2014.

Sami Lushtaku ka pasur të kaluar problematike shumë kohë para luftës në Kosovë, duke mbajtur burg në Dubravë.

Supremja e shpalli të pafajshëm

Sami Lushtaku me vendim të formës së prerë, vitin e kaluar nga Gjykata Supreme e Kosovës është dënuar me 12 mijë euro, për shkak të arratisjes nga burgu i Dubravës.

Ai është dënuar po vitin e kaluar me vetëm 2 mijë euro gjobë për kërcënimin me jetë të avokatit Gazmend Halilaj, por për sulmin me tentim-vrasje të tij nga dy persona, njëri kushëri i Sami Lushtakut, besohet se ky qëndron pas rastit.

Po ashtu Sami Lushtaku e ka një proces gjyqësor për një tender në KEK, që kishte të bënte me sigurimin fizik të objekteve, por vlera e tij është tronditëse gjashtë milionë euro. Në këtë Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Lushtaku në vitin 2015 është dënuar me 12 vite burg i akuzuar për vrasje. Ai akuzohej për vrasjen e një shqiptari civili gjatë luftës në Kosovë, por Gjykata e Apelit më vonë e ka liruar nga akuza për vrasjen e civilit, duke e dënuar me shtatë vite burgim për përgjegjësi në hierarki.

Por, në vitin 2017 Gjykata Supreme e liroi, duke e shpallur plotësisht të pafajshëm, ndërsa ai i kishte kaluar afërsisht katër vjet në paraburgim.