Tri gjenerata shqiptare në një kantier: Nga përvoja e gjyshit te ambicia e nipit
Nazmi Kupa, i cili po mbush 79 vjeç, emigroi në Gjermani në vitin 1968. Sot, ai vazhdon profesionin krah djalit dhe nipit, duke dëshmuar se përvoja dhe tradita familjare mund të përcillen ndër breza, transmeton albinfo.ch.
Bëhet fjalë për një nga projektet e rëndësishme të infrastrukturës në Këln të Gjermanisë, një familje shqiptare po tërheq vëmendjen për bashkëpunimin mes tri gjeneratave. Në rinovimin e urës Mülheim janë angazhuar Nazmi Kupa, djali i tij 50-vjeçar, Kabili, dhe nipi 21-vjeçar, Zejadini.
Për Nazmi Kupën, ky projekt është vazhdim i një jete të gjatë pune në ndërtimtari. Edhe pse po mbush 79 vjeç, ai vazhdon të punojë përkrah familjarëve të tij, duke ndarë me ta përvojën e fituar gjatë dekadave në profesion.
Nazmiu dhe Kabili punojnë si zdrukthëtarë, ndërsa Zejadini është i kualifikuar në punimet e betonit të armuar dhe, krahas angazhimit në kantier, vazhdon edhe studimet në këtë drejtim.
Nga emigrimi te puna krah dy brezave

Mirënjohja për këtë mbështetje vazhdon të jetë pjesë e jetës së tij. Në pjesën e pasme të automjetit të punës mban ende flamurin gjerman, si shenjë vlerësimi për njerëzit që e pritën dhe e ndihmuan të ndërtonte karrierën e tij.
Familja, përtej vendit të punës
Bashkëpunimi mes Kupëve nuk përfundon me orarin e punës. Të tre jetojnë me familjet e tyre nën të njëjtën çati dhe thonë se nuk do ta imagjinonin jetën ndryshe, transmeton albinfo.ch.
Për të ruajtur harmoninë, ata kanë vendosur një rregull të thjeshtë: problemet e punës mbeten në kantier dhe nuk barten në shtëpi.
Për Nazmiun, familja është një nga vlerat më të rëndësishme të jetës. “Nëse një burrë ka familje, ai ka gjithçka”, shprehet ai, duke vënë në pah rëndësinë e respektit dhe të lidhjeve familjare.
Edhe pensionimi, për momentin, nuk duket të jetë në planet e tij. I pyetur se deri kur synon të vazhdojë punën, ai përgjigjet me humor: “Për sa kohë që këmbët më mbajnë, do të vazhdoj”.
Historia e familjes Kupa është prezantuar nga transmetuesi gjerman WDR. Ajo sjell në vëmendje rrugëtimin e një emigranti shqiptar që ndërtoi jetën profesionale në Gjermani dhe që, gati gjashtë dekada pas ardhjes së tij, vazhdon të punojë krah djalit dhe nipit, duke e kthyer profesionin në një traditë familjare./Albinfo.ch






