Nga Franca në Amerikë, e djathta ekstreme është në marshim

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Tani e tutje, e djathta ekstreme e Francës do të donte të njihej thjesht si “e djathta”.

Dikush mund ta kuptojë logjikën. Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar [Rassemblement National], është shumë para në sondazhet për zgjedhjet legjislative që shpejtë do të vijnë në Francë. Ndërkohë, e djathta tradicionale po shkrihet. Nëse RN-ja bëhet grupi më i madh në Parlamentin francez në korrik, partia do të ridefinojë konservatorizmin francez.

Përtej Francës rezonon çështja nëse duhet riemërtuar e djathta ekstreme si e djathtë. Çështja e ngjashme është edhe në ShBA, ku Donald Trumpi e ka transformuar partinë republikane sipas imazhit të vet. Partia tradicionale pro-tregtisë dhe internacionaliste e George HW Bushit, pothuajse nuk ekziston sot. Lëvizja konservatore tani komandohet nga rezoni “Së pari Amerika” [America First].

Debatet paralele po zhvillohen në Itali dhe Britani. A ka ende kuptim të përkufizohet kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, si politikane “e ekstremit të djathtë”? Me Partinë e Reformës të Nigel Farages që po del para konservatorëve qeverisës në një sondazh, madje flitet për rimarrjen paszgjedhore të konservatorëve nga Farage dhe nga idetë e tij.

Pra, çfarë mbetet nga dallimi midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme? Vija kryesore ndarëse është qëndrimi ndaj demokracisë. Nëse një udhëheqës politik refuzon të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe dëshiron të shkatërrojë “ata që kontrollojnë shtetin” (në realitet, vetë shtetin), atëherë ai ose ajo është ashiqare në të djathtën ekstreme.

Por, nëse një parti shtyn para politikat të cilat liberalët i konsiderojnë si të pakëndshme, reaksionare apo edhe raciste, por këtë e bën brenda kornizës së politikës demokratike dhe shtetit të së drejtës, termi “e djathta ekstreme” mund të mos jetë më i përshtatshëm. Ideologjitë dhe lëvizjet politike zhvillohen. Disa nga këto forca që po rriten mund të jenë thjesht fytyra e re e politikës së djathtë – ashtu siç Sir Robert Peel e transformoi konservatorizmin britanik në shekullin XIX ose Barry Goldwater dhe Ronald Reagan e rindërtuan të djathtën amerikane në shekullin XX.

Politikanët flasin për “dritaren e Overtonit” – gamën e politikave që konsiderohen si të respektueshme nga opinioni kryesor në çdo kohë të caktuar. Ajo që kanë bërë politikanët si Trump, Marine Le Pen dhe Farage, është zhvendosja e asaj dritareje, kështu që politikat të cilat dikur konsideroheshin si e djathta ekstreme, tani kanë kaluar në rrjedhën kryesore.

Ky është rasti me emigracionin, ku variantet e politikave të Trumpit për “ndërtimin e murit” tani përcaktojnë debatin në Perëndim. A mund t’i quani këto politika ende si “ekstra e djathtë”, kur shumica janë dakord me to? Një term tjetër, si “populist kombëtar”, duket më i saktë.

Trumpi dhe të ngjashmit e tij gjithashtu e kanë shtyrë Dritaren e Overtonit për qëndrimet ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Këtu bëhet më e paqartë vija midis një forme të re konservatorizmi dhe autoritarizmit të ekstremit të djathtë. Është e mundur që njerëzit si Trumpi dhe Le Peni duan të arrijnë marrëveshje me Rusinë, sepse janë izolacionistë gjakftohtë të cilët nuk besojnë se mbështetja për Ukrainën është në interesin kombëtar. Por, flirtimi i tyre me Vladimir Putinin mund të reflektojë gjithashtu admirimin për autoritarizmin e tij.

Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Trumpi përfundimisht tregoi se kush është. Refuzimi i tij për të pranuar rezultatet dhe inkurajimi i tij për një tentativë grushtshteti, treguan se ish-presidenti ishte antidemokratik deri në palcë. Ish-republikanët kryesorë – si senatorët Marco Rubio dhe Mitch McConnell – kanë tradhtuar parimet themelore dhe e kanë poshtëruar veten duke mbështetur Trumpin.

Le Pen dhe Meloni, megjithatë, kanë lëvizur në drejtim të kundërt. Meloni deri më sot është dukur si konservatore relativisht konvencionale në pushtet – megjithëse shumëkush në të majtën italiane mbetet thellësisht dyshues se ajo ka axhendë të fshehur.

E gjithë strategjia e Le Penit, gjatë dekadës së kaluar, ka qenë të “çdemonizojë” të djathtën ekstreme dhe ta zhvendos atë në qendër. Për këtë qëllim, ajo madje ka përjashtuar babanë e saj nga partia dhe, së fundmi, është shkëputur nga partia e ekstremit të djathtë e Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë.

Pra, a do të thotë kjo se ne mund të relaksohemi nëse RN merr një hise të pushtetit në Francë në korrik? Absolutisht jo. Disa nga politikat e Le Penit për Evropën – të tilla si rivendosja e përparësisë së ligjit francez ose tërheqja e pagesave franceze nga buxheti i BE-së – mund të shkaktojnë trazira ekonomike dhe të kërcënojnë mbijetesën e BE-së.

Por, politikat si këto, ende mund të ndiqen në mënyrë legjitime brenda një kuadri demokratik. Rreziku i vërtetë do të vinte nëse një atmosferë krize do të krijonte justifikimin për RN-në për të marrë fuqi emergjente – dhe kështu të kalonte kufirin drejt autoritarizmit. Ka njerëz në orbitën e ekstremit të djathtë të Francës të cilët kanë flirtuar me idetë e liga, antidemokratike.

Të argumentosh se vija ndarëse midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme është respekti për demokracinë, mund të duket se e lartëson formën mbi përmbajtjen. Shumë vetë e kanë mendimin se gjëja vërtet e pakëndshme për politikanët si Trump apo Le Pen janë politikat që ata mbrojnë – për një sërë çështjesh nga imigrimi deri te të drejtat e grave.

Por, për sa kohë që strukturat demokratike mbijetojnë, votuesit kanë mundësi të pafundme t’i refuzojnë ato politika. ShBA-ja e kundërshtoi Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020. Partia ultra-konservatore e Polonisë, Ligj dhe Drejtësi, humbi në vitin e kaluar.

Respekti për demokracinë dhe shtetin e së drejtës mbetet Rubikoni që ndan politikën konservatore nga autoritarizmi i ekstremit të djathtë.