Portali kroat “tportal” e ka renditur Shkupin ndër destinacionet interesante për një udhëtim fundjave, duke promovuar trashëgiminë historike, bukuritë natyrore dhe gastronominë tradicionale të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
Në reportazhin turistik, Shkupi përshkruhet si qytet ku ndërthuren kultura, tradita dhe stile të ndryshme arkitekturore.
Ndër atraksionet që rekomandohen për vizitorët janë Ura e Gurit, Sheshi Maqedonia, Çarshia e Vjetër, Kalaja e Shkupit, Kanioni i Matkës dhe Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet Çarshisë së Vjetër, e cilësuar si një nga qendrat tregtare osmane më të mëdha dhe më të ruajtura në Ballkan, me rrugicat karakteristike, zejtarët, çajtoret dhe monumentet historike.
Portali veçon edhe Lagjen e Dibrës si qendër gastronomike dhe të jetës boheme, ku turistët mund të shijojnë qebapët e Shkupit, ajvarin, tavën me fasule dhe specialitete të tjera tradicionale.
Për adhuruesit e natyrës rekomandohet Kanioni i Matkës, ndërsa për pamje panoramike të qytetit sugjerohet vizita në Vodno dhe te Kryqi i Mileniumit.
Reportazhi është shpërndarë edhe në rrjetet sociale, duke nxitur reagime pozitive dhe rekomandime të tjera nga lexuesit.



