Nga ai që ‘ka rënë nga fiku’, deri tek ai që s’do bashkëpunonte kurrë, Tayna zbulon emrat e kolegëve

Tayna ka folur “pa dorëza”.

E ftuar në “Shiko kush luan”, Tayna i tha të gjitha çfarë mendonte për kolegët. Gjatë lojës “Paintball”, ajo u vendos përballë fotove të disa prej kolegëve të saj duke shënjestruar secilin sipas pyetjeve të drejtuara. Tayna shënjestroi fotot e vendosura përballë saj duke zbuluar shumë për mendimin e saj rreth kolegëve.

Sipas Tayna-s, Loredana është në kulmin e karrierës, megjithatë ajo do të dëshironte një bashkëpunim me Mozzik. Po ashtu, ajo ka zbuluar se Ledri Vula është reperi që pëlqente më shumë para se të bëhej e famshme. Kur është në makinë reperja ka treguar se dëgjon MC Kreshën.

Për Majkun, Tayna ka thënë se ‘ka rënë nga fiku’, si dhe e ka shënjestruar sërish si kolegun që i uron më shumë fat në 2020-tën, pasi 2019-ta nuk rezultoi të ishte me fat për të.

Me kë nuk do të bënte kurrë një bashkëpunim Tayna?

Sipas reperes, këngëtari që ajo nuk do të bënte asnjëherë një bashkëpunim dhe që ka tekstet më të dobëta është Onat.

Në fund ka treguar se asnjëri prej këngëtarëve në tabelë nuk ishte mashkulli i duhur me të cilin ajo do të krijonte një lidhje.