Nga 20 dhjetori hyrja në Serbi vetëm me test negativ PCR

Nga 20 dhjetori, shtetasve të huaj do t’u duhet një test negativ PCR për të hyrë në Serbi, ndërsa qytetarëve serbë do t’u nevojitet ose test negativ ose do të dërgohen në karantinë 10-ditore.

“Kemi vendosur që të gjitha masat kufizuese që kanë qenë në fuqi deri më tani do të jenë në fuqi deri të premten, 18 dhjetor, pas së cilës do të takohemi përsëri dhe do të shohim nëse do të vendosim ndonjë masë shtesë ose do t’i ndryshojmë ato ekzistuese”, deklaroi Ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale dhe anëtare e Shtabit të Krizave, Darija Kisiq Tepavçeviq, pas seancës.

Siç theksoi ajo, masat e deritanishme kanë pasur efekte, megjithëse numrat janë në vlera shumë të larta, por tani shohim rënie të rasteve të reja dhe përqindje të pozitivitetit. Ajo i përsëriti masat – ndalesë për punë të të gjitha objekteve nga ora 17:00, që nuk vlen për objektet e ushqimit, farmacitë dhe pompat.

Për qytetarët serbë që hyjnë në vend, nëse nuk kanë test negativ PCR, do të jenë të detyruar të jenë në izolim shtëpiak për 10 ditë, i cili mund të ndërpritet nëse në ndërkohë bëhet test negativ PCR./MIA