Neziri: Kandidatura ime në Çair është vendosur në Kryesinë Qendrore të BDI-së

Kandidati për kryetar dege i BDI-së në Çair, Bekim Neziri, i ftuar sonte në emisionin Click Plus në TV21, tha se me kërkesë të Ali Ahmetit është munduar të ndërmjetësojë me të ashtuquajturin “Grupin e zjarrit” në BDI. I pyetur nëse kandidimi i tij për kryetar të BDI-së, kundër Izet Mexhitit në degën e Çairit, ai tha se nuk ka asnjë thikë pas shpine kundër Mexhitit dhe se kandidatura e tij është vendosur në Kryesinë Qendrore të BDI-së.

“Me kërkesë të Ali Ahmetit, duke pasur parasysh relacionet miqësore mes bashkëpartiakëve të mi, ose siç quhet ndryshe “Grupi i zjarrit”, jam munduar që të përafroj qëndrimet mes palëve. Por, kandidatura ime në Çair vjen si rezultat i vendimit që e ka marrë Kryesia Qendrore në të gjitha degët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Zgjedhjet e fundit në BDI janë bërë në 2019, pas 4 viteve mandatet skadojnë këtë vit dhe BDI-ja ka marrë qëndrim që të shpalli zgjedhjet në të gjitha degët, ku njëra prej tyre është edhe Çairi dhe unë kam kandiduar për kryetar dege. Nuk ka asnjë thikë pas shpine kundrejt Izet Mexhitit, edhe unë edhe ai kontribuojmë për të mirën e BDI-së, ku kandidojmë për një shtëpi që e kemi ndërtuar të gjithë bashkë.”- tha Neziri.