Gazetarët në Francë kanë shkruar se braziliani Neymar do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni dhe do të kërkojë një ambient të ri.
Pas debaklit në Ligën e Kampionëve ku humbën nga Real Madridi, tifozët e këtij klubi u kthyen kundër brazilianit dhe pas kësaj disfate po dalin të gjitha të këqijat.
Pesë vite më parë, Neymar erdhi te PSG si transferimi më i madh në histori për 222 milionë euro, por nuk arriti të justifikojë asnjëherë vlerën e paguar.
Neymar për momentin nuk po i kontribuon asgjë klubit me sjelljen e tij dhe vetëm pret fundin e sezonit që dhoma e zhveshjes të “pastrohet”. Kështu pohon Daniel Riolo, gazetar i RMC.
“Ai pothuajse nuk stërvitet, ai arrin në stërvitje në gjendje të mjerueshme, në prag të dehjes. Është e vërtetë, Neymar është duke u hakmarrë ndaj PSG-së. Ai u nda totalisht me klubin dhe dhomën e zhveshjes”.
“Duhet ta shtypin një çek për të dhe ta lënë të shkojë. Ai po i bën shumë dëm klubit. Lëreni të shkojë, ai po shkatërron PSG-në”, ka shkruar Riolo.
Këtë sezon Neymar ka vetëm 21 paraqitje për PSG-në dhe ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar pesë herë.
Ai luajti gjithsej 135 ndeshje për PSG-në në pesë vjet dhe shënoi 91 gola në të gjitha garat.