Neutralizimi i rrenave të mëdha të Trumpit

Shkruan: Susan Stokes

Me akuzat federale ndaj Donald Trumpit, ish-presidenti amerikan po dyfishon retorikën përçarëse. Amerika, kështu, është në fillimin e një kapitulli tjetër dëshpërues të një lufte në dukje të pafundme narrativash. Një sondazh i CBS/YouGov nga 7-10 qershor zbuloi se vetëm 38 për qind e votuesve të mundshëm republikanë e shohin keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trumpi si rrezik të sigurisë kombëtare, krahasuar me 80 për qind të votuesve të tjerë.

Gënjeshtrat e Trumpit në lidhje me rastin kërcënojnë të minojnë besimin e publikut në zbatimin e ligjit federal, ashtu si këmbëngulja e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin “vjedhur” minuan besimin në integritetin e procesit demokratik të Amerikës. Për fat të mirë, ndryshimet në opinionin publik rreth zgjedhjeve të 2020-s tregojnë për strategji efektive për t’u rezistuar sulmeve ndaj institucioneve thelbësore demokratike.

Për të qenë të sigurt, sondazhet kanë treguar se afërsisht dy të tretat e votuesve republikanë mendojnë se Joe Biden i humbi zgjedhjet dhe fitoi vetëm përmes mashtrimit. Kjo gënjeshtër i shtyu mbështetësit e Trumpit të sulmojnë Kapitolin në Washington më 6 janar 2021 dhe shtetet e kontrolluara nga republikanët të miratojnë ligje që kufizojnë qasjen në fletëvotim në emër të kundërshtimit të mashtrimit të votuesve (problem që është treguar të jetë jashtëzakonisht i rrallë). Por fshirja në të dhënat e sondazheve është fakt pak i vënë re: Me kalimin e kohës, më shumë votues republikanë kanë filluar të dyshojnë në gënjeshtrën zgjedhore të Trumpit dhe kanë pranuar Bidenin si presidentin e ligjshëm.

Kjo prirje pasqyrohet në sondazhet e kryera nga Bright Line Watch, bashkëpunim ndëruniversitar i shkencëtarëve politikë (në të cilin unë jam anëtare themeluese). Në një sondazh të nëntorit 2020, ne zbuluam se në thelb të gjithë demokratët dhe dy të tretat e të pavarurve besonin se Bideni ishte përfundimisht ose ndoshta fituesi i ligjshëm, krahasuar me vetëm një të katërtën e republikanëve. Implikimi ishte se tri të katërtat e votuesve republikanë dyshonin se një uzurpator po hynte në Shtëpinë e Bardhë. Por që atëherë ne e kemi përsëritur këtë sondazh pesë herë, dhe më i fundit, në nëntor 2022, tregoi se 35 për qind e republikanëve tani e pranojnë Bidenin si presidentin legjitim.

Edhe pse kjo është ende pakicë, përfaqëson një rritje prej 40 për qind mbi një të katërtën fillestare të votuesve të republikanëve. Për më tepër, sondazhet nga organizata të tjera tregojnë të njëjtën tendencë. Midis nëntorit 2020 dhe dhjetorit 2022, anketuesit në Universitetin Monmouth pyetën në mënyrë të përsëritur një grumbull votuesish republikanë nëse besonin se Biden fitoi “fer” ose vetëm “për shkak të mashtrimit zgjedhor”. Pjesa e atyre që ia atribuojnë fitoren mashtrimit është tkurrur nga 69 për qind në 55 për qind.

Cilët votues të republikanëve kanë qenë më të prirë për të mos besuar gënjeshtrën e Trumpit? Duke gërmuar në të dhënat e Bright Line Watch, zbulojmë se kryesisht janë njerëz me arsim më formal, veçanërisht diplomë kolegji (rreth 17 për qind e republikanëve dhe 21 për qind e demokratëve në mostrat tona). Ndërsa 30 për qind e votuesve republikan me diplomë kolegji besonin në vitin 2020 se Biden i fitoi zgjedhjet në mënyrë të drejtë, ky numër ishte rritur në pothuajse 50 për qind deri në fund të vitit 2022. Votuesit republikanë, arsimi zyrtar i të cilëve përfundoi në shkollën e mesme vite më vonë gjithashtu ishin më pak të magjepsur nga gënjeshtra e zgjedhjes së Trumpit. Por krahasuar me të diplomuarit në mesin e republikanëve, besueshmëria fillestare e maturantëve ishte më e madhe dhe rënia e saj më graduale.

Disa do të tundohen të shlyejnë shumicën e madhe të votuesve republikanë, të cilët pretendojnë se nuk u intereson që Trumpi ndau dokumente dhe informacione shumë të klasifikuara me të ftuarit në klubet e tij në Florida dhe New Jersey. Por do të ishte gabim thjesht të supozohej se ky grup është i paarritshëm. Kur Trumpi i gënjeu mbështetësit e tij për zgjedhjet e vitit 2020, ata që e besuan atë nuk ishin thjesht mashtrues të çmendur. Ashtu si shumica prej nesh, atyre u mungonte njohuria e dorës së parë për të kontrolluar bindjet e tyre. Me pak informacione me funksionimin e administratës zgjedhore, ata iu drejtuan udhëheqësve të cilëve u besonin më shumë.

Më pas, ndërsa provat e kundërta filluan të grumbulloheshin, një makinë dezinformuese e fuqizuar mirë u fut me shpejtësi, duke u ofruar këtyre votuesve pika bisedimi me të cilat do të mbështesnin pozicionin e tyre dhe të neutralizonin argumentet nga pala tjetër. Për shembull, shumë mbështetës të Trumpit u bindën se gjyqtarët e emëruar nga ai, të cilët hodhën poshtë paditë e fushatës së tij, po merrnin vetëm vendime teknike, jo duke gjykuar pretendimet për mashtrim.

Pra, çfarë mësimesh mund të marrim nga humbja modeste e tërheqjes së gënjeshtrës zgjedhore? Si fillim, ndihmon për të mbajtur nën çekan faktet dhe për të tërhequr kapacitetin e votuesve për të menduar kritik. Vetë Trumpi mbështetet shumë në përsëritje dhe demokratët duhet të bëjnë të njëjtën gjë, duke e bërë të qartë vazhdimisht se pamaturia dhe egocentrizmi i tij kanë rrezikuar sigurinë kombëtare dhe potencialisht e kanë ekspozuar popullin amerikan ndaj një dëmi të madh.

Gënjeshtra e zgjedhjeve ushqehet nga fakti se pak prej nesh kanë njohuri të drejtpërdrejta se si zhvillohen zgjedhjet. Po kështu, pak njerëz kanë përvojë të drejtpërdrejtë me mbledhjen e inteligjencës, mbrojtjen e informacionit rreth arsenalit bërthamor të vendit, planifikimin hipotetik të pushtimit dhe këso gjërash. Shumica prej nesh nuk kanë hyrë kurrë në SCIF (subjekt informacioni i ndjeshëm dhe i publikuar), procedurë standarde për shqyrtimin e dokumenteve shumë të klasifikuara. Prandaj ata që e bëjnë këtë duhet t’u shpjegojnë të tjerëve, vazhdimisht nëse është e nevojshme, pse trajtimi i këtyre dokumenteve nga ish-presidenti nuk ishte thjesht i rastësishëm, por potencialisht katastrofik – dhe, në të vërtetë, kriminal.