Netanyahu: Ushtarët tanë janë dislokuar kudo në Rripin e Gazës, do të jetë një luftë e gjatë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ushtarët dhe komandantët izraelitë “janë vendosur në Rripin e Gazës, dhe janë dislokuar kudo”.

Ai deklaroi se operacioni i vazhdueshëm tokësor në Gaza është faza e dytë e luftës me Hamasin me “objektiva shumë të qarta”, raporton BBC.

Netanyahu u shpreh se forcat shtesë tokësore izraelite kanë hyrë në atë që ai iu referua si “kështjella e së keqes”, duke folur për Gazën, për të “çmontuar” Hamasin dhe për të sjellë pengjet në shtëpi.

“Kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë. Ne do të fitojmë”, theksoi kryeministri izraelit.

Netanyahu gjithashtu foli edhe në mënyrë indirekte edhe për deklaratën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan i cili akuzoi Izraelin për krime lufte.

“Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund t’i akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë”, potencoi kryeministri izraelit pa përmendur emrin e Erdoganit.

Ai mes tjerash tha se ushtria izraelite po merr masa paraprake për të mbrojtur civilët dhe akuzon Hamasin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit duke “përdorur njerëzit e tyre si mburoja”.