Netanyahu thotë se Izraeli s’i pranon kërkesat e Hamasit për armëpushim

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se autoritetet izraelite nuk do t’i pranojnë kërkesat e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Netanyahu i bëri këto deklarata pasi grupi radikal palestinez nuk e pranoi propozimin e Izraelit për armëpushim.

Hamasi e hodhi poshtë propozimin më të fundit të Izraelit të hënën mbrëma, duke e akuzuar atë se i shpërfilli kërkesat kryesore të grupit, që përfshijnë përfundimin e luftës dhe largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Netanyahu tha se Izraeli nuk do të dorëzohet para kërkesave “joreale” të Hamasit dhe do ta vazhdojë punën për t’i shkatërruar armatimin e tij ushtarak dhe aftësitë qeverisëse, si dhe për t’i liruar pengjet e mbetura në Gazë.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio të martën se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë dhe për lirim të pengjeve, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit.

Ai e kritikoi edhe SHBA-në, aleatin kryesor të Izraelit, pse nuk përdori veto kundër rezolutës, pasi në të nuk dënohej Hamasi dhe sulmi i tij më 7 tetor në Izrael.

Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë. Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinezë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë./REL