Nesër vijnë ekspertët e BE-së që do të shqyrtojnë punën e këshillit gjyqësor

Ekspertët e Bashkimit Europian të cilët I paralajmëroi euroambasadori David Geer, të enjten dhe të premten do të qëndrojnë në Shkup. Ata do të fokusohen në punën e Këshillit Gjyqësor, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut muajt e fundit për shkak të një sërë skandalesh dhe trazirash në këtë organ. Këtë informacion e ka bërë të ditur Delegacioni i BE-së në Shkup përmes një njoftimi me shkrim. Ata sqarojnë se ekipi i ekspertëve, i përbërë nga përfaqësues të shteteve anëtare të Unionit, do të shqyrtojë kuadrin institucional të Këshillit Gjyqësor dhe do të propozojë masa afatshkurtra dhe afatmesme, duke përfshirë masa legjislative dhe institucionale, me qëllim forcimin e pavarësisë. paanshmërinë dhe besueshmërinë e këtij organi të rëndësishëm për menaxhimin e gjyqësorit. Ekipi i ekspertëve do të udhëhiqet nga Branko Hrvatin – ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Kroacisë. Ai do të nisë misionin në vend më 27 dhe 28 korrik dhe do të identifikojë fushën e punës së ekipit të ekspertëve.

DELEGACIONI I BE-SË NË SHKUP

“Puna do të përfundojë me mbështetjen e një ekipi ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së, të cilët do të vizitojnë Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2023”.

Ardhjen e misionit vlerësues të BE-së në Shkup e paralajmëroi ambasadori i BE-së në vend, David Geer, në fillim të këtij muaji. Ai shpjegoi se është një grup këshillues, i cili duhet të ndihmojë në gjetjen e mënyrave se si Unioni mund t’u përgjigjet pyetjeve për profesionalizmin, integritetin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, në mënyrë që ky organ në të ardhmen të bëjë punën e tij në mënyrë të pavarur. Ky njoftim u vlerësua pozitivisht nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, por edhe nga vetë Këshilli Gjyqësor, puna e të cilit do të jetë në fokus të misionit vlerësues. /SHENJA