Nesër nis seanca për “TNT”-në, avokati Dauti sërish i drejtohet penales

Vazhdimi i seancës gjyqësore për rastin “TNT”, ditën e nesërme, e shtyu avokati Merxhan Dauti, t’I drejtojë edhe një letër Gjykatës Penale. Në apelin e fundit siç e quan ai, kërkon që ky institucion të ndaloj me sjelljen e vendimeve të shpejta kokë më vete. Ai thotë se antarët e Penales, duhet të kenë parasysh respektimin e ligjit.

Merxhan Dauti, avokat në rastin “TNT”

“Gjatë ditës së nesërme inkrajohuni, mos iu nënshtroni asnjë lloj presioni, kërcënimi, shantazhi, ose premtimi. Sillni vendim ligjor në interes të sundimit të së drejtës. Heshtja është opsioni më i keq. Heshtja e veprimeve të kundërligjshme edhe juve drejtëpërdrejtë u bën bashkëpuntorë në të njejtat. Sillni çfarë do lloj vendimi, por mos heshtni. Jo çdoherë heshtja është ar, në këtë rast, heshtja është miratim i punës së paligjshme”.

Ndërkaq, Dauti dhe avokati Jovica Strashevski, kanë qenë shumë aktiv në opinion periudhën e fundit, lidhur me gjykatësen porot, të cilës i mbaroi mandati dhjetorin e 2019-tës.

Duke filluar nga dita e nesërme, seancat për “TNT”, do të zhvillohen për çdo ditë edhe pse fillimisht gjykata kishte vendosur që rastin të vazhdoj më 17 janar.

Mandati i gjykatëses porot Liljana Ivanovska – Koçovska, skadoi më 23 dhjetor, ku më pas kryetari i gjykatës Penale, bëri kërkesë për vazhdim të mandatit të saj. Mirëpo nga Këshilli gjyqsor ende nuk kanë sjellë vendim. Ata vetëm kanë bërë të ditur se çështja e mandatit të gjykatëses porot, do të shtrohet në rend dite, më datë 27 janar. Mirëpo deri në atë kohë, seancat do të mbahen me përbërjen e njëjtë.

Në rastin “TNT”, ish kryeministri, tash në arrati Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish kryetari i Gazibabës Toni Trajkovski dhe disa të punësuar në komunë, akuzohen për prishjen e objektit “Kosmos”, të biznesmenit Fiat Canovskit.