Nesër do të shkarkohet drejtoresha e spitalit të Ohrit për shkak pacientes që humbi jetën nga koronavirusi

Pas vdekjes së pacientes nga Struga dhe moskujdesjes së saj në spitalin e Ohrit, ministri Venko Filipçe tha se është sjellë vendimi që nesër të shkarkohet drejtoresha e spitalit të Ohrit.

Pacientja ka qenë në moshën 66 vjeçare e rrethinës së Strugës. Pacientja ka pasur probleme me zemrën, sëmundje kronike të mushkërive dhe tension të ngritur.

Sipas anketës epidemiologjike, familja e gruas së ndjerë pak para se të shpallet gjendja e krizës në Dibër, kanë qenë në Dibër dhe ka pasur kontakt me njërin nga doktorët e sëmurë, ndërsa pasi është kuptuar se doktori është pozitiv me koronavirus, familja ka qenë në vetizolim.

Pasi janë paraqitur simptomat e para tek e ndjera, ajo më 24 mars, ka caktuar testim të koronavirusit nëpërmjet mjekut amë. Materiali për testim është marrë më 26 mars, ndërsa rezultatet kanë arritur gjatë ditës së djeshme.

Për shkak përkeqësimit të gjendjes së pacientes, mjeku amë menjëherë ka rekomanduar që të hospitalizohet në Klinikën infektive në spitalin e Ohrit, por deri në marrjen e rezultateve, pacientja nuk është pranuar në spital. /SHENJA/