Nënat me fëmijë të vegjël nesër protestojnë kundër vendimit të Qeverisë

Martina Mlladenovska, nëna e dy vajzave binjake 15 muajshe, është një nga nënat që më 23 shtator duhet të rikthehet në punë. Ajo thotë se asnjë nga prindërit nuk synon shmangien e angazhimit në vendet e punës. Problemi sipas saj qëndron në atë se vendimi i Qeverisë, u le hapësirë vetëm një javë për të gjetur një zgjidhje se kush do të kujdeset për fëmijët e tyre. Për këtë arsye ajo thotë se është e detyruar ta lë punën dhe të kujdeset për fëmijët.

Konkretisht, unë jam nga Nerezi, pyeta tek çerdhja në Hrom nuk ka regjistrim, si t’i regjistroj unë fëmijët? Vendimi u soll shumë shpejt. Nënat nuk patën kohë të mjaftueshme të reagojnë. Jo të gjitha nënat kemi gjyshërit që mund të kujdesen për fëmijët dhe jo të gjitha nënat e kanë mundësinë të angazhojnë dado. Si unë edhe shumë nëna të tjera jemi të detyruara që të japim dorëheqje, në këmbim të shëndetit të fëmijëve – deklaroi Martina Mlladenovski-nënë.

Ajo thotë se vajzat e saj kanë lindur para kohe, andaj kanë imunitet të dobët dhe frika i është shtuar edhe më shumë pas rasteve pozitive të regjistruara në disa çerdhe në vend.

Pritet shpërthim i virusit në vjeshtë. Këta fëmijë kanë lindur 35 javësh nuk kanë imunitet të mirë. Si t’i lë unë, si t’i dërgoj në çerdhe kur ka qindra të infektuar çdo ditë. Kishte edhe rast kur një fëmijë rezultoi pozitiv me koronvirus. Deri tani ka pasur edhe edukatore pozitive. Çfarë mund t’u ndodhë fëmijëve të mi, që i korrespondojnë moshës 12 muajsh nëse mos dashtë Zoti, infektohen? – tha Martina Mlladenovski-nënë.

Nga Ministria e Punës dhe Politikë Sociale thonë se ka edhe rreth 4500 vende të lira nëpër çerdhe në të gjithë vendin, por në disa prej çerdheve kapacitetet janë plotësuar.

Nënat thonë se fëmijët nuk i regjistruan në çerdhe, kur ato u hapën, sepse ende nuk ishte sjellë vendim për rikthimin e tyre në punë, andaj u lanë hapësirë për regjistrim prindërve që nuk kishin zgjidhje tjetër. Të njëjtin shqetësim kanë edhe nënat e fëmijëve të moshës nga 6 deri 10 vjeç, të cilët mësimin do e ndjekin me prani fizike me orë të shkurtuara, duke mos pasur më pas kush të kujdeset për ata.

Nesër do të realizohet protesta e paralajmëruar, përmes së cilës nënat synojnë që Qeveria të marrë në konsideratë shqetësimin e tyre dhe të rishikojë vendimin. Dy ditë më parë Qeveria vendosi që të mos marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse që nënat të mos rikthehen në punë para 31 dhjetorit dhe vendosi që data kur nënat me pushim të zgjatur të lindjes, ato më fëmijë deri në moshën 6 vjeçar dhe të moshës nga 6 deri 10 vjeçar, në punë të paraqiten më 23 shtator./Alsat