Negociata për BE-në, Shkupi dhe Tirana mund ta vazhdojnë rrugën ndaras

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi se procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në parimin e meritave indivudale. Osmani pas takimit të sotshëm më kryenegociatorin e Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, lidhur me çështjen e ngritur së fundmi rreth mundësisë për procese të ndara mes të dyja vendeve tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po ecin me dinamikën që i imponojnë vetë dhe nuk duhet të jenë peng i njëra tjetrës, por, duhet të ndihmohen në mes vete. Ministri gjithashtu shtoi se të gjitha kushtet tani më janë plotësuar nga të dyja shtetet dhe se nuk ka arsye të shtyhen bisedimet.

Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme

“Unë mendoj se rrugëtimi i përbashkët krijon sinergji në rrugëtimin e dy vendeve dhe krijon një dinamikë të re në rajon. Por, parimi është i tillë, parimi është në kuadër të vlerësimit individual dhe kjo nuk varet prej dëshirës tonë, por varet prej vendimit të Bashkimit Evropian. Ne nuk duam ta mbajmë peng Shqipërinë për shkak të çështjeve tona që i kemi ose që e ka një vend anëtar me ne, as që duam Shqipëria të na mban peng ne. Dhe ajo që themi ne tash është se dyja vendet i kanë plotësuar kushtet. Nuk do të ishte mesazh i mirë Maqedonia e Veriut tani nuk fillon bisedimet se atëherë humb parimi i kondicionalitetit. Principi kryesor i cili ka transformuar këtë rajon ka qenë nëse ju realizoni, realizojmë edhe ne”

Ndërkaq, kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimi Evropian, Zef Mazi tha se prolongimi për një datë të pacaktuar nga marsi i vitit 2020 në qershor të këtij viti,dhe nga qershori në dhjetor shton lodhjen dhe dëmton kredibilitetin. Ai tha se e ardhmja e vendeve tona në Bashkimin Evropian është një çështje e madhe gjeostrategjike , politike për një hapsirë më të mirë demokratike dhe evropiane.

Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërsië me BE-në

“Anëtarësimi i vendeve tona, në rastin konkret i Shqipërisë nuk duhet të ndërpritet ai duhet të shpejtohet si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Të mos ketë më vonesa, vonesat praktikisht na bëjnë të gjithëve humbës, besimi i qytetarëve në këtë proces të zgjerimit do ta cenojë kredibilitetin e BE-së. Procesi i zgjerimit duhet të vijojë siç e theksoi edhe ministri duke u bazuar te parimi i vjetër i BE-së, bazuar tek meritat”

Osmani theksoi se sëbashku me kryenegociatori kanë konstatuar se samitet e ardhshme që do të mbahen gjatë muajve të ardhshme, paraqesin shans të papërsëritshëm, për të cilën Bashkimi Evropian në vepër do të tregojë kredibilitetin e procesit të zgjerimit dhe me këtë do të ruaj idenë evropiane si motor kryesorë për ndryshime pozitive në rajon.