Në tetor mund të ketë takim mes Kurtit e Vuçiqit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se gjatë muajt tetor mund të ketë një takim në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Bislimi tha se janë disa marrëveshje që janë në zbatim e sipër, por që sipas tij, s’janë të kënaqur me ritmin e zbatimit të tyre, teksa shtoi se problemi qëndron tek pala serbe.

“Një prej tyre është marrëveshja me energjinë dhe problemi qëndron tek pala serbe. Si pjesë e kësaj marrëveshje kanë qenë disa obligime për palët e përfshira, e që palët e përfshira janë ZRrE-ja, KOSTT, KEDS, Elektrosever dhe BE-ja”.

“Deri më tani, ka pasur lëvizje vetëm nga ana e ZRrE-së e cila ka licencuar operatorin e ri, Elektrosever, sipas marrëveshjes së vitit 2015, por pikat tjera s’janë përmbushur ende. Ne i kemi çuar letër BE-së ku i kemi lajmëruar se ka kaluar afati prej 100 ditëve dhe tani aktivizohet periudha shtesë ku ZRrE-ja fillon konsultimet me palët për të vendosur se si ecet tutje që nënkupton se mund të ketë pasoja edhe për licencën e Elektroseverit”, është shprehur Bislimi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se është interes i Kosovës që ky proces të përfundoj me sukses në mënyrë që komunat veriore të inkasohen për konsumin e energjisë elektrike.