Në një banesë në Mitrovicë sekuestrohen 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave

Policia e Kosovës, në një banesë në Mitrovicën e Jugut, ka gjetur dhe sekuestruar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Po ashtu organet e rendit kanë arritur ta identifikojnë edhe një person të dyshuar lidhur me rastin, njofton Klankosova.tv.

“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet, që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave. Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policorë kanë identifikuar personin e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.