Në një aksion të rrezikshëm, ushtria e Zelandës së Re ka nxjerrë gjashtë viktima nga erupsioni vullkanik

Pjesëtarë të ushtrisë së Zelandës së Re, të pajisur me maska mbrojtëse dhe veshje speciale, kanë nxjerrë gjashtë trupa nga Ishulli i Bardhë vullkanik ku paraprakisht këtë javë ka ndodhur erupsion, ndërsa mjekët edhe më tej luftojnë për jetët e personave të lënduar rëndë.

Operacioni ishte tejet i rrezikshëm për shkak të rrezikut të drejtpërdrejt nga një erupsion i ri. Autoritetet nën presion të familjeve të viktimave janë dakorduar ta kryejnë operacionin, edhe pse rreziku nga ky erupsion në 24 orët e fundit ishte vlerësuar në 50 deri në 60 për qind.

“Trupat e viktimave janë nxjerrë me helikopterë, ku ka pasur tetë pjesëtarë të ushtrisë elite të Zelandës së Re”, bëri të ditur policia. Gjashtë nga tetë trupa janë nxjerrë nga ishulli dhe janë transferuar në anijen patrulluese të marinës, me të cilën do të transportohen në tokë, ku do të kryhet identifikimi.

Gjatë erupsionit të vullkanit të hënën kanë humbur jetën të paktën 16 persona, të cilët kanë qëndruar në Ishullin e Bardhë. Shumica prej 29 të mbijetuarve ende janë në spital, prej të cilëve 22 në Zelandë të Re dhe shtatë në Australi.

Në momentin e erupsionit në ishull ka pasur 47 turistë dhe ciceronë nga Australia, SHBA-ja, Britania e Madhe, Kina, Gjermania, Malajzia dhe Zelanda e Re.