Ne mendo se Ali Ahmeti s’di, ai me fitore bën kërdi

Shkruan: Sulejman Mehazi

Jo vetëm që e kemi kritikuar ashpër kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, por edhe e kemi ofenduar e sharë me shprehje më të këqija të mundshme, por kot. Ne shkrihu e nervozohu, kurse ai këndon e fiton radhazi në çdo zgjedhje parlamentare e lokale. Ne krekosemi e pallim si gomerë ndaj tij, ai rri heshtur e qeshur si mbret. Ne kujto e mendo se Alia është i dobët e i paditur, ai me BDI-në në heshtje fito e gëzohu gjatë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

Ne kujto e mendo se partia e BDI-së është rëndë e korruptuar, në anën tjetër asnjëri prej funksionarëve të Ali Ametit deri më tani nga gjykata s’është i gjykuar e i dënuar. Partitë opozitare shqiptare, po edhe ato maqedonase që sa kohë mundohen me të gjitha forcat ta rrëzojnë nga froni qeveritar, e Ali Ahmeti me atë urtësinë e tij ndonëse naive, të heshtjes toleruese i çoi takëlla e teposhtëzë, barkazi në harresë, radhazi e nga një: Cërvenkovskin, Lupçe Georgievskin, Vllado Buçkovskin, Arbër Xhaferin, Menduh Thaçin, më keq ia bëri Gruevskit; sa për këto katër partitë e fundit të Zijadin Selës, Bilall Kasamit, Afrim Gashit e Menduh Thaçit as që ia ndien e i llogaritë si konkurrentë politikë.

Jo vetëm kaq, po Ali Ahmeti ju jep leksione edhe politikanëve dhe partive të Kosovës dhe Shqipërisë, është rekorder i fitoreve të njëpasnjëshme të BDI-së, me qeverisjen e tij afër njëzet vjeçare.

***
– Ne kritiko, ai fito;
– Ne e kemi sharë e nënçmuar, ai me të qeshur na ka fituar;
— Ne mendo se kryeministri shqiptar është ëndërr, ai në tre muajt e fundit të mandatin do ta bëjë realitet;
– Ne mendo se s’di, ai me fitore bën kërdi

Shtojcë:

Qëllimi i shkrimit: “Ne mendo se Ali Ahmeti s’di, ai me fitore bën kërdi”, s’është t’i bëjmë elozhe Ali Ahmetit, s’është për t’iu afruar BDI-së, por të tregojmë të vërtetën e pamohueshme politike të Ali Ahmetit, të vetëdijësimit të partive opozitare shqiptare që të përçarë duan ta sfidojnë BDI-në e Ali Ahmetit.
Opozita e përçarë dhe e ndarë e merr edhe popullin shqiptar në qafë, kot ne gërvallemi me shkrimet tona nëse ata që duhet mundur Ali Ahmetin s’janë të bashkuar, po të përçarë e krye më vete.
Dallimi i Ali Ahmetit nga Menduh Thaçi, Zijadin Sela e Bilall Kasami është se, Ali Ahmeti shkon në zgjedhje parlamentare e lokale për ta mundur opozitën e përçarë, kurse këta të dytët, opozita shqiptare e përçarë në zgjedhje shkon vetëm për ta dëmtuar e jo për ta fituar Ali Ahmetin. Qëllimi i opozitës shqiptare duhet të jetë fitorja ndaj BDI-së, e jo dëmtimi i Ali Ahmetit. Fitorja ndaj Ali Ahmetit e BDI-së bëhet vetëm me bashkimin e partive tjera shqiptare e kurrsesi ndryshe.

@S.Mehazi