Në lajmet e RTK-së hyn një person duke mbajtur në duar parullën “Radio Televizioni i Kurtit” (VIDEO)

Një person ka hyrë në studion qendrore të lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës ku në dorë mbante një shkrim në të cilin thuhej “Radio Televizioni i Kurtit”.

Ngjarja ka ndodhur më të nisur lajmet qendrore në RTK, ndërsa moderatorja reagoi duke kërkuar falje për skenat e ndodhura.

Ajo tha se në mënyrë të padijshme nga ana e stafit dhe redaksisë brenda RTK-së, persona të panjohur hynë dhe shfaqen atë parullë.

E, në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili la të nënkuptohet se ky veprim është bërë nga ta.

Molliqaj tha se lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmë të VV-së e sipas tij, redaksia është qeveria.

“Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet”.

“Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj”, shkroi Molliqaj, transmeton Klankosova.tv.