Në Kumanovë edhe kur të nderojnë të nënçmojnë

Shkruan: Abedin Ismaili

Prej kur Maksim Dimtrievski është kryetar Komune shqiptarët kanë qenë pa kryetar në këtë Komunë, e Komuna ka pasur një kryetar që është diskriminues, mospërfillës, mos mirënjohës ndaj votës shqiptare, shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, shqiptarëve që i ka në parti e në Komunë.

Në Kumanovë u shënua 11 Nëntori – Dita e çlirimit të qytetit, dhe në shtëpinë e Kulturës për nder të kësaj dite në mënyrë solemne u ndanë çmime personaliteteve të ndryshme duke i vlerësuar si kontribuues në këtë qytet. Në mesin e fituesve të këtij çmimi kishte edhe shqiptarë, që me të vërtetë meritojnë nder dhe respekt për kontributet në fusha të ndryshme. Por, prezenca e shqiptarëve në këtë mes më shumë reflektoi dhe nxjerri edhe njëherë në pah urrejtjen e kryetarit, Maksim Dimitirevski, që ka ndaj gjuhës shqipe, i cili nuk kishte gjetur dot mundësi që të paktën ato mirënjohje simbolike të kenë përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.

Prandaj, në emër të nderimit të shqiptarëve falë kryetarit të votuar nga shqiptarët, Maksim Dimitrievski, nënçmohen edhe njëherë shqiptarët e qytetit të Kumanovës, që ky kryetari i ri me mendësi të vjetër të injoron e tallet me gjuhën shqipe. Mbase, nuk është hera e parë që ky “kryetari i shqiptarëve” ka bërë veprime që shprehin dukshëm urrejtjen ndaj shqiptarëve, duke mos vendosur vetëm flamurin e shqiptarëve në Komunë edhe në raste festash kur vendosen të gjithë flamujt e etnive tjera, duke publikuar himnin e qytetit pa asnjë element shqiptarësh përbrenda, madje edhe në rreth rrotullime i kishte vendosur vetëm shkronjat cirilike. Pra, nuk zgjedh vend e mënyrë kudo që i jepet mundësia shpërfaq urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.

Ajo që duhet të mendohet në raste të tilla, është fakti që përmes mirënjohjeve të tilla, puro maqedonase, futet shkrimi cirilik në shtëpitë e shqiptarëve madje duke i vendosur në vende speciale, sepse bëhet fjalë për çmime nderi. E kur pasardhësit e tyre do të shohin çmimet e gjyshërve të tyre do të kenë nevojë për përkthim nga prindërit që të kuptojnë për çfarë janë nderuar gjyshërit. Megjithatë, shkrimi cirilik nuk dëmton e rrënon shtëpitë, por flet për periudha të vështira që edhe kur të nderojnë të nënçmojnë, duke mos ta respektuar gjuhën amtare. Kush nuk nënçmohet kur gjuha amtare i përdhoset, duhet të trajtohet për orientim identitar.

Maksim Dimitrievski, kohëve të fundit ka një vetpëlqim të shtuar, dozë e lartë që do ta ulë shumë poshtë. Ajo që është absurde është fakti se ky pretendon të themelojë edhe parti të tij, në të njëjtën kohë mbjellë e ushqen urrejtje e diskriminim pafund kundrejt shqiptarëve. E është po i njëjti që në fushatë është më prezent në lagjet e shqiptarëve se në oborrin e shtëpisë së tij. E më keq se kaq, votat e shqiptarëve kanë qenë vendimtare për fitoret e tij.

PS: ju që e keni shitur votën dhe e keni harxhuar atë thes mielli, jam mëse i bindur se e keni kuptuar se sa vlerë ka vota juaj. Ju mbase edhe mund ta shitni sërish votën tuaj, por duhet ta dini që blerësi shet të ardhmen tuaj.