Ne kemi elita, por vetëm elita policore që i mbrojnë elitat e hajdutëve!

Shkruan: Kim Mehmeti

Në të gjitha lagjet e vendbanimeve të ‘Shqipërive tona, ka nga dy-tre doktorë shkencash dhe me qindra që kanë diploma fakulteti. Por megjithatë, nëpër ato lagje nuk ka thuajse asnjë që do ishte shëmbëlltyrë e njeriut, që popullit dhe vendit të vet ia dhuron më të bukurën e më të vlefshmen që ka, duke mos kërkuar asgjë si kundërvlerë.
Ne pra kemi doktorë shkencash më shumë se tifozë të futbollit, por megjithatë, mbetëm pa elita që do i prijnë këtij populli, elita që nuk do lejojnë që një politikan injorant ta përcaktojë fatin e artistit, të vendosë se kush do jetë rektor i universitetit dhe kryetar i akademisë së shkencave.
Dhe sa më shumë që shtohet numri i të shkolluarve të paditur dhe i doktorëve të shkencave që kurrë nuk janë ulur të mësojnë, aq më shumë qartësohet e vërteta se ne thuajse tërësisht e realizuam projektin antishqiptarë që thotë: shqiptarëve jepu diploma, por mos u jep dije.
Nëpër vendbanimet e ‘Shqipërive’ tona u shtua numri i të diplomuarit të paditur dhe i politikanëve hajdutë e injorantë, por u zhdukën ata që e posedonin mjeshtërinë që edhe sofrën e varfërisë ta begatojnë me yjet e shpresës, me yjet e besimit se do i jetësojmë ëndrrat e paraardhësve tanë, ëndrrat për një shqiptari, e cila në mos më shumë, do jetë më e kujdesshme ndaj vetvetes.
‘Shqipëritë’ tona u bënë vende ku nuk shtohet vetëm numri i plaçkitësve të popullit, por edhe i atyre që besojnë se mund ta vjedhësh edhe diturinë. Me çka vendbanimet tona u bënë të pabanueshme për ata që e dinë si mund t’i vjelësh yjet e shpresës, si mundet ato t’i shtrëngosh në grushte, e që pastaj, t’ua shpërndash të rinjve, atyre që ato yje do mund t’i ngjitin lartë e më lartë në qiellin e shqiptarisë.
Vendbanimet e “Shqipërive” tona janë përplot me vlera të rrejshme, por thuajse pa asnjë nga ata si të cilët është e pamundur të bëhesh, por rrugën e të cilëve ia vlen ta ndjekësh. Me çka edhe u bëmë shoqëri që kanë elita, por vetëm elita policore, të cilat në masë të madhe u shërbejnë dhe i mbrojnë ata që i kontrollojnë ‘Shqipëritë’ tona: elitat e hajdutëve dhe të kriminelëve tanë. (Kim Mehmeti)