Në Gostivar shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

Gostivar, 7 mars –  Vetëqeverisja  Lokale dhe disa institucione arsimore në rajonin e Gostivarit e shënuan 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

 

Kryetari i Gostivarit Arben Taravari ka pritur në një drekë të përbashkët pensionistët punonjës arsimorë të cilët kanë ligjëruar në gjuhën shqipe.

Ai para  mësuesve të pensionuar u shprehu falënderim për angazhimin e tyre në edukimin e shumë brezave, duke i quajtur senatorë të diturisë në këtë qytet.

“Privilegj dhe lumturi ta kaloj 7 Marsin me ju, ditën e secilit që e mban këtë titull nderi”, tha Taravari.

Në SHF “Ismail Qemali”, me rastin e festës u hap ekspozita grupore e veprave artistike të nxënësve nga të gjitha dhjetë shkollat komunale të cilët morën pjesë në konkursin që e organizoi Komuna e Gostivarit. Tre më të mirëve iu ndanë diploma dhe çmime në të holla.