Në Gjermani nis stërvitja më e madhe ajrore ushtarake në historinë e NATO-s

Manovrat më të mëdha ajrore në historinë e NATO-s fillojnë sot në hapësirën ajrore gjermane me një stërvitje dyjavore në të cilën marrin pjesë rreth 10.000 ushtarë dhe 250 avionë nga 25 vende, njoftoi DPA.

Udhëhequr nga Bundesveri gjerman, stërvitja do të zgjasë deri më 23 qershor dhe synon të praktikojë zmbrapsjen e një sulmi fiktiv nga një agresor nga lindja.

“Kjo do të jetë një shfaqje force për të treguar unitetin e aleatëve dhe për t’u bërë përshtypje kundërshtarëve të mundshëm, si Rusia,” deklaruan përfaqësuesit gjermanë dhe amerikanë javën e kaluar, gjatë paralajmërimit të stërvitjes.

Uashingtoni po dërgon 2000 anëtarë të Gardës Kombëtare amerikane dhe rreth 100 avionë për të marrë pjesë në këtë trajnim. “Kjo është një stërvitje që do të jetë absolutisht mbresëlënëse për këdo që e sheh dhe ne nuk po detyrojmë askënd ta shikojë”, deklaroi më parë ambasadorja amerikane në Gjermani, Ejmi Gutman. Ajo sqaroi se stërvitja pa dyshim do të demonstrojë “shkathtësinë dhe shpejtësinë” e forcave aleate dhe se do të habitej mjaft nëse ndonjë lider botëror nuk do të vinte re se çfarë tregon për sa i përket frymës dhe forcës së aleancës së NATO-s. Këtu mendoj edhe për presidentin rus Vladimir Putin, shtoi ambasadorja amerikane.

Suedia, e cila shpreson të bashkohet me aleancën, dhe Japonia po marrin pjesë gjithashtu në stërvitjet e udhëhequra nga Gjermania.

Stërvitja “Er Defender 23” (Air Defender 23) fillon sot, me 10,000 pjesëmarrës dhe 250 avionë nga 25 vende. Stërvitjet janë krijuar për të simuluar përgjigje ndaj një sulmi ndaj një shteti anëtar të NATO-s.

Tre zona në hapësirën ajrore të vendit do të preken nga manovrat: pjesë të Gjermanisë veriore dhe Detit të Veriut, pjesë të Gjermanisë Lindore dhe Detit Baltik dhe pjesë të Gjermanisë jugperëndimore.