Escobar i doli në ‘mbrojtje’ Kurtit pas deklaratës së Hill-it, reagon profesori: I la pa fjalë këta persona!

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili kishte thënë se ka disa probleme shumë thelbësore me kryeministrin Albin Kurti, e për të cilin nuk e di nëse mund ta konsiderojë si partner.

Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, mes tjerash ka thënë se Kurti është një partner i SHBA-së, ani se nganjëherë është i vështirë.

“Më duhet ta bëj të qartë këtë – zoti Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. së bashku.

Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”, ka deklaruar Escobar.

Këto deklarata të Escobarit e Hill-it i ka komentuar profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

Fillimisht, ai duke u bazuar në atë se ccka ka deklaruar Hill, vlerësoi se ambasadori amerikan në Serbi është i ndikuar nga Vuçiqi.

““Zëdhënësi” i presidentit të Serbisë, ambasadori Christopher Hill para disa dite, pa fije turpi duke e transmetuar “politikën” e Vuçiqit kishte deklaruar se:

“Ka disa problem shumë thelbësore me kryeministrin Albin Kurti, e për te cilin nuk e di nëse mund ta konsideroj si partner”.

Nuk është hera e parë që Hill, i cili në cilësinë e ambasadorit të SHBA-ve në Serbi, po ashtu kishte deklaruar se ishte “kundër njohjes së Kosovës si shtet”, pra qartësisht ky njeri është nën influencën e Vuçiqit kur e anashkalon njohjen nga shteti i vetë SHBA”, deklaroi ai.

Image

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.

Maxharrajt u shpreh se Hill ka probleme thelbësor me Kurtin, e që sipas tij kjo është një gjë e turpshme.

“Pra, siç po shihet ambasadori i SHBA-ve në Serbi Christopher Hill paska problem shumë thelbësore me Albin Kurtin të cilin nuk e di nëse mund ta konsideron si partner. Kjo është shumë e turpshme kur thuhet nga ambasadori i SHBA, vendit mik të Kosovës.

Por, si është e mundshme që ky fare ambasadori mund të jetë partner, bile i përpiktë, besueshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq – kriminelin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Millosheviqit, me shtetit e të cilit luftoi SHBA-ja me aleatët për ta çliruar Kosovën”, nënvizoi profesori.

Më tej, ai tha se këtë deklaratë ‘pro-serbe’ të Hill-it, e hodhi poshtë Escobari, kur e konfirmoi Kurtin si partner të Amerikës.

“Dje, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke e demantuar dhe injoruar deklaratën e tij “pro serbe, pro Vuçiqit”.

Ai ne një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi te Evropës Juglindore midis tjerash ashpër e demantoi ambasadorin Hill duke ia bërë te qartë atij se Albin Kurti është partner i ynë, partner i SHBA:

“Më duhet ta bëj të qartë këtë” thotë zoti Escobar se – “zoti Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner i ynë. Kosova është partneri ynë””, nënvizoi Maxharraj.

Ndër të tjera, profesori nga Amerika, tha se Escobari ua mbylli gojën opozitës, duke ua bërë me dije që Kurti nuk është antiamerikan.

Sipas tij, partitë opozitare nuk shqetësohen për shtetin, por për grabitje të pushtetit.

“Kjo mbase i la pa tekst edhe kundërshtarët e Kurtit, jo vetëm në Serbi, por sidomos në Kosovë ata te opozitës të cilët këto ditë deshën ta hanë “pa pjekë” Kurtin, duke e quajtur antiamerikan, po do të na prishë me Amerikën, etj., duke i mprehë dhëmbët dhe lëpirë buzët se ja erdhi dita e tyre, i mprehën me kohë dhembë duke e kërkuar dorëheqjen e tij, duke përgatit mocione, etj.

Por ua mbylli gojën vetë Amerika duke ua bërë të qartë se Albin Kurti nuk është antiamerikan por partner i denjë i Amerikës.

Ruaj zot këta të opozitës se as vet nuk dinë se çka flasin, nuk e kanë brengë mbrojtjen e shtetit por grabitjen e pushtetit”, përfundoi Binak Maxharraj për “Bota sot”.