Në fjalimin vjetor, Trump pritet të bëj thirrje për unitet

Në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 4 shkurt, do të përpiqet edhe një herë të dërgojë mesazhin e unitetit për një komb dhe Kongres të ndarë në mënyrë të mprehtë.

Një vit më parë ,Trump përdori adresimin e tij, para dy dhomave të Kongresit për të bërë thirrje për një “epokë të re të bashkëpunimit. ”

“Ne duhet të hedhim poshtë politikën e hakmarrjes, rezistencës dhe ndëshkimit – dhe të përqafojmë potencialin e pakufishëm të bashkëpunimit, kompromisit dhe të mirës së përbashkët”, pati deklaruar Trump.

Fjalimi i këtij viti, do të mbahet në një vit zgjedhor – dhe vetëm një ditë pasi nisi gara për të përcaktuar kandidatin demokrat, i cili do të përballet me Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Trump do të flasë përpara anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, që e kontrollojnë demokratët, dhe Senatit me shumicë republikane.

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar dy akuzat në gjyqin për shkarkim të Trumpit, i cili po zhvillohet në Senat.

Ekspertët nuk e hedhin poshtë mundësinë që gjatë fjalimit presidenti Trump të shpërthejë kundër demokratëve për shkak të gjyqit ndaj tij.

Ai akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar të nominuarin e mundshëm demokrat për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden.

Presidenti ka thënë se akuzat ndaj tij janë rezultat i një “gjuetie shtrigash”, por, ai u tha gazetarëve më 2 shkurt se gjatë fjalimit drejtuar kombit “do të bëj një mesazh, shumë pozitiv”.

Ai ka të ngjarë të flasë për fuqinë ekonomike, papunësinë e ulët dhe një marrëveshje tregtare të negociuar së fundmi me Meksikën dhe Kanadanë, si dhe fazën e parë të një marrëveshje me Kinën që mund të sinjalizojë përfundimin e një lufte të gjatë tregtare, transmeton rel.

Në përpjekjen e tij për të nxjerrë në pah unitetin, Trump pritet të flasë për “vlerat amerikane” , liritë fetare dhe mbështetjen për ushtrinë.

Fjalimi i tij pritet të ketë një audiencë prej 50 milionë shikuesve.