Në Dibër të shtunën të drejtën e votës do ta realizojnë 70 persona me sëmundje dhe të pafuqishëm

Në kuadër të raundit të dytë të votimit për kryetar të komunës së Dibrës, të shtunën, 13 nëntor, një ditë para votimit, të drejtën e votës do ta realizojnë 70 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm.

“Nga numri i përgjithshëm, 58 janë nga afati i parë, kur akoma nuk ishte marrë vendim për rivotim në një vendvotim në qytet, 12 të tjerat janë nga 17-të kërkesat që janë dorëzuar javën e kaluar. Materialin zgjedhor e marrim sot të cilin në kohë do ta shpërndajmë dhe gjithçka është përgatitur për mbajtjen e raundit të dytë të votimit”, deklaroi për MIA-n, Jovanka Josifovska, nënkryetare e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në raundin e parë zgjedhor për votim ishin paraqitur 21 persona me sëmundje dhe të pafuqishëm, një kërkesë nuk ishte pranuar ndërsa të drejtën e votës e kanë realizuar 20 persona.

As në raundin e parë e as në të dytin, tek komisioni nuk është paraqitur ndonjë person i infektuar me Kovid-19 ose në izolim.

Në listën e vetme zgjedhore në këtë komunë janë regjistruar 19.211 persona ndërsa votohet në 27 vendvotime. Në raundin e parë të drejtën e votës e kanë realizuar rreth 42 për qind e votuesve të regjistruar.

Të dielën qytetarët e kësaj komune do të zgjedhin midis kryetarit aktual Hekuran Duka, kandidat i BDI-së i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni dhe Bekim Pocesta nga Aleanca për Shqiptarët – Alternativa i mbështetur nga VMRO-DPMNE.