Në Dibër 18 të infektuar të rinj me Kovid-19

Në 24 orët e fundit në Dibër janë regjistruar 18 të infektuar të rinj me Kovid-19 që është numër më i madh i rasteve të reja në një ditë nga fillimi i pandemisë.

“Aq numër i madh infektimesh të reja nuk kemi pasur as në kohën kur kemi qenë vatër e sëmundjes. Këto janë raste pozitive të konfirmuara nga 40 strishot e bëra. Të gjithë të infektuarit janë nga Dibra. Sipas vlerësimit të personave ekspert, numri i të infektuarve do të rritet që është rezultat i mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtje personale dhe protokolleve në kafene, markete dhe institucione tjera”, deklaroi për MEDIAL, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka.

Ai tha se numri i sotëm është më shumë se një paralajmërim se kujdesi dhe ndërgjegja duhet të jenë në nivelin më të lartë nëse duam të mbrojmë veten, të afërmit dhe shtetin.

Ndryshe në Dibër e cila ishte vatër e virusit të rrezikshëm, numri total i të infektuarve është rritur në 81, prej tyre 48 janë shëruar, katër kanë vdekur, derisa aktive janë 29 raste.