Në detaje: Ja pse opozita do ta bllokojë Kodin e ri Zgjedhor

Kodi i ri Zgjedhor ka hyrë në procedurë parlamentare mes përplasjeve të ashpra politike, me opozitën që paralajmëron bllokada dhe dorëzimin e 10.000 amendamenteve. Si LSDM-ja ashtu edhe Levica vlerësojnë se disa nga zgjidhjet e propozuara cenojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe kërkojnë rihapjen e negociatave për të gjithë tekstin e ligjit përcjell agjencia e lajmeve INA.

LSDM-ja ka refuzuar ofertën e kryeministrit Hristijan Mickoski që çështjet kontestuese të zgjidhen vetëm me disa amendamente, duke insistuar se Kodi duhet të rishqyrtohet në tërësi.

Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me futjen e votimit elektronik për diasporën. Opozita nuk e kundërshton të drejtën e qytetarëve jashtë vendit për të votuar, por ngre shqetësime për mungesën e garancive lidhur me identifikimin e votuesve, fshehtësinë e votës, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen nga keqpërdorimet.

LSDM-ja kundërshton edhe mënyrën e re të shënimit të fletëvotimit, duke paralajmëruar se rregullat e paqarta mund të çojnë në interpretime të ndryshme për vlefshmërinë e votave dhe, rrjedhimisht, të ndikojnë në rezultatet zgjedhore.

Një tjetër pikë kontestuese është kufizimi i shqyrtimit të ankesave zgjedhore vetëm për parregullsitë e regjistruara në procesverbalet e vendvotimeve. Sipas opozitës, kjo mund të pengojë hetimin e shkeljeve që zbulohen më vonë ose që nuk janë evidentuar nga komisionet zgjedhore.

Po ashtu, LSDM-ja kundërshton edhe shfuqizimin e qeverisë teknike, duke argumentuar se hiqet një nga mekanizmat kryesorë të kontrollit të procesit zgjedhor. Partia vlerëson se nuk mund të kërkohet besim për rregullat e reja zgjedhore në mungesë të një konsensusi të gjerë politik.

Edhe Levica ka paralajmëruar bllokadë të Kodit Zgjedhor. Sipas saj, modeli aktual i financimit të fushatave favorizon partitë e mëdha në dëm të subjekteve më të vogla, ndërsa kandidatët dhe listat e pavarura përballen me barriera më të larta për mbledhjen e nënshkrimeve.

Levica kritikon gjithashtu faktin që në ndryshimet e propozuara nuk është përfshirë modeli me një njësi të vetme zgjedhore, të cilin e konsideron si zgjidhje për një përfaqësim më të barabartë të votës.

Partia kundërshton edhe dispozitat e reja që parashikojnë gjoba të larta për shkelje gjatë fushatës në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se formulimet e gjera mund të përdoren për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se për një pjesë të madhe të zgjidhjeve është arritur pajtueshmëri, por LSDM-ja dhe Levica këmbëngulin se për versionin përfundimtar të Kodit nuk ka pasur konsensus politik.

Përplasja pritet të vazhdojë edhe në Kuvend, ku opozita, përmes 10.000 amendamenteve të paralajmëruara, synon të ngadalësojë ose të pengojë miratimin e ligjit. Ndërkohë, pushteti e konsideron këtë veprim si bllokim të reformave që lidhen me Agjendën e Reformave dhe procesin e integrimit evropian.

Në vend që të shërbejë për rritjen e besimit në procesin zgjedhor, Kodi i ri Zgjedhor është shndërruar në një nga temat më të debatueshme politike, duke thelluar përplasjen mes pushtetit dhe opozitës ende pa nisur shqyrtimi i tij në Kuvend.( INA)