Në 78-vjetorin e daljes së numrit të parë të gazetës «RILINDJA»

Shkruan: Enver Robelli

Si sot më 12 shkurt 1945 në Prizren u botua numri i parë i gazetës «Rilindja». Filloi si gazetë periodike dhe me kalimin e viteve u bë gazetë e përditshme, shtëpi botuese, vatër kulturore dhe emancipuese, dritare ndaj botës, qendër e rëndësishme e iluminizmit shqiptar dhe properëndimor të Kosovës.

Nga kjo gazetë lexuesit në Kosovë, Maqedoninë shqiptare, në Preshevë, Ulqin e gjithandej ku kishte shqiptarë në Jugosllavi u informuan, përkundër rrethanave shpesh shtrënguese, mbi zhvillimet politike, sociale, ekonomike, kulturore e sportive.

U botuan te «Rilindja» reportazhe për minatorët e Trepçës, portrete të arsimtareve dhe nxënësve të zgjuar (njëri nga ta në fund të viteve 70-të ishte regjisori tashmë i ndjerë Bekim Lumi), himne me shkronja për sportistë të shquar si Fadil Vokrri dhe himne për artistë, kritika serioze letrare dhe teatrore.

U publikuan, herë pas here, reportazhe të gazetarëve të «Rilindjes» nga Afrika, Australia, bota arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot kjo duket e paimagjinueshme.

«Rilindja» u mbyll më 7 gusht 1990 nga pushteti i dhunshëm serb, një muaj pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, hapin e parë legal drejt pavarësisë së Kosovës në çastet e fundit të Jugosllavisë.

«Rilindja» nuk ishte vetëm gazetë, ajo ishte një industri e vogël mediale me këto gazeta: «Fjala» (që mbahet në mend sidomos për frymën liberale nën kryeredaktorin Shkëlzen Maliqi), pastaj «Shkëndija», «Zëri i rinisë» me rebelët e gazetarisë kosovare si Blerim Shala, Halil Matoshi, Bardh Hamzaj e të tjerë, «Pionieri», «Bujku», «BAT» etj.

Në vitet 90-të «Rilindja» u botua në Tiranë dhe në Zvicër (edicioni për diasporë), ndërsa në Kosovë doli me emrin «Bujku». Në prag të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë «Rilindja» u botua në Prishtinë me emrin e vërtetë. Pas luftës pati disa përpjekje modeste për ta ringjallur këtë titull, pa sukses.

Në ballinën e numrit festiv të gazetës «Rilindja» për ditët 31 dhjetor 1983, 1 dhe 2 janar 1984 bie në sy një shifër: redaksia njofton se tirazhi i gazetës është 235’500 ekzemplarë.

Nga gjenerata e gazetarëve të rinj të viteve 80-të shquhen sidomos Veton Surroi, Kelmend Hapçiu e të tjerë, krahas atyre me përvojë më të gjatë si Nehat Islami, Avni Spahiu, Zenun Çelaj, Binak Kelmendi, Gani Mulliqi, Fahri Musliu, Ramush Tahiri etj.

Në numrin festiv të vitit të ri 1984 nëpër gazetën «Rilindja» janë të shpërndara mjaft poezi nga Esad Mekuli, Ali Podrimja, Maksut Shehu, Abdullah Konushevci, Besim Bokshi, Musa Ramadani, Bedri Hysa, Enver Gjerqeku, Arif Bozaxhi etj. Ndërsa gazetari Xhemail Rexhepi shkruan: «Trepça ishte dhe mbeti eksportuesi më i madh kosovar, deri dje me lëndë të parë, kurse tash me prodhime finale. Për çdo dollar të importuar – 2,62 dollarë eksport. Me shtimin e vrullshëm të eksportit në tregun konvertibil për 250 për qind dhe në atë kliring për 75 për qind, Trepça për kah efektet pozitive arriti në vendin e tretë në vend».

«Dritë edhe nga uji» titullohet një tekst i gazetarit Mehmet Gjata, në të cilin njoftohet se në planin e zhvillimit të elektroekonomisë së Kosovës parashihet që në Zhur deri në vitin 1990 të ndërtohet një hidrocentral me kapacitet 292 megavatë, i cili do të ketë për bazë ujërat e bjeshkëve të Dragashit. Gazetarja Lindita Aliu portretizon Mandushe Berishën, e cila kishte doktoruar në kimi analitike, Stojanka Mihajloviqin, e cila në atë kohë ishte – me gjasë – e para grua në Prishtinë që punonte në një «pompë të benzinit» (pikë karburanti), dhe Binaze Musliun, inxhiniere e makinerisë dhe drejtoreshë e Fabrikës së Tullave në Ferizaj.

Faqet 9 dhe 10 të «Rilindjes» së vitit të ri 1984 janë rezervuar për reportazhe nga bota. Atëherë s’kishte as Netflix, as Youtube, andaj atraksion ishin udhëpërshkrimet apo reportazhet e gazetarëve nga të gjitha anët e globit. Ali Aliu shkruan nga Melbourne për shqiptarët e Australisë, Ibrahim Kadriu përshkruan Berlinin e ndarë, Sali Kelmendi raporton nga Izraeli mbi konfliktin e përjetshëm mes izraelitëve dhe palestinezëve, Ramiz Kelmendi përshkruan Bratisllavën («më impresionoi me kësikohëshmërinë e saj») dhe interesohet për gjuhën sllovake, të cilën ia shpjegon botuesja Jarmila Samcova, Avni Spahiu njoftonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se së shpejti kompjuterët do të bëhen të gjithëfuqishëm dhe studentët do të mund t’i ndjekin ligjëratat në ekran nga një largësi prej 2000 kilometra, Ymer Bajra, korrespondent në Bonn të Gjermanisë, tregon se si gjermanët planifikojnë çdo gjë me pedanteri, por një gjë kanë harruar ta planifikojnë: familjen, andaj nataliteti në Gjermani po bie çdo vit. Gazetari alarmon se një ditë gjermanët do të jenë komb pa trashëgimtarë, sepse janë shumë të dhënë pas konsumit dhe nënat nuk gëzojnë benificione si në vendet e zhvilluara perëndimore. «Nergut për Rilindjen» nga India shkruan Predrag Stamenkoviqi për punën humanitare të Nënë Terezës.

Kelmend Hapçiu shkruan për vëllezërit Rizvanolli nga Gjakova, të cilët kishin autobusin e parë, të vetmin «në viset tona», dhe njofton mbi zhvillimin e sistemit të transportit në Kosovë – nga ndërmarrjet komunale që quheshin «Kosmeti», «Slloga», «Prevozi», «Poleti». Nga të gjitha këto ndërmarrje u themelua «Kosmet-Prevoz», më vonë ndërmarrja mori emrin «Kosovatrans». Në bazë të emrave shihet edhe progresi i Kosovës: nga një shoqëri ku në jetën publike dominonin emrat serbë të ndërmarrjeve drejt një shoqërie me emra shqiptarë ose më të internacionalizuar, si «Kosovatrans», për shembull. Jusuf Meça shkruan për Pashk e Alfred Markajn, të cilët më 2 nëntor 1983 u sulmuan nga një ari i egërsuar.

Në faqen 15 Rexhep Ismajli jep një lajm të gëzueshëm: «Rilindja», shkruan ai, gjatë vitit 1984 do të botojë «Mesharin» e Buzukut me fototipi me të qartë e më moderne, të pajisur me studimin dhe interpretimin mjeshtëror nga dora e Çabejt. Qamile Blakçori përshkruan çaste me piktorin Daut Berisha në Paris. Mehmet Kraja zhvillon një intervistë me shkrimtarin Rexhep Hoxha («Më thoshin: me një hu nuk lidhet gardhi»). Te sporti një citat nga Fadil Vokrri: «Dëshira ime e flakët është që Prishtina të plasohet në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit të elitës së futbollit jugosllav, sepse sipas cilësisë këtë e meriton, dhe unë të veshi petkun e reprezentacionit tonë më të mirë në turneun final në Francë». Për të argëtuar pak popullin gazeta sjell edhe një humoreskë popullore për përjetimet e Deli Maculit nga Çabiqi.

Një hallexhi nga Prizreni i shkruante mjekut të njohur Rifat Latifi se vuante nga impotenca dhe kishte dëgjuar se në klinikën vaskulare të Fakultetit të Mjekësisë «me sukses operohen ata që vuajnë nga impotenca». Hallexhiu thotë se është në gjendje të rëndë dhe se vetëm barnat qetësuese e mbajnë në jetë. Rifat Latifi përpiqet ta qetësojë pak burrin nga Prizreni: «Për secilin dështim të energjisë seksuale të njeriut, ne pa një pa dy e fusim (njeriun) në thesin e impotentëve. Nuk ka asnjë njeri i cili të paktën njëherë ose më shumë herë nuk ka pasur ‘dështim’ në këtë sferë. Mirëpo kjo assesi nuk do të thotë se të vetmin dështim duhet shfrytëzuar për të ndërtuar një fortesë të bërë, të pakalueshme, në të cilën fshihet arsyeja e impotencës». Në fund pacienti këshillohet t’i lajmërohet dr. Gazmend Shaqirit dhe bashkëpunëtorëve të tij në klinikën vaskulare në Prishtinë.

Kështu ishte dikur, sot është histori.

E.R.