Ndryshimet kushtetuese të martën në komisionin amë, VMRO mbetet kundër

Deputetët e VMRO-DPMNE-së nesër do të marrin pjesë në Komisionin Kushtetues dhe do të votojnë kundër hapjes së Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve dhe popujve të tjerë në preambulë, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai potencoi se nuk do të votojnë asnjë iniciativë e cila në këto kushte kërkon hapjen e kushtetutës.

“Ne do të jemi nesër aty prezent dhe kur do të jetë në rend dite kjo pikë, anëtarët e VMRO-DPMNE-së do të votojnë kundër. Edhe në seancën plenare, e cila është caktuar për 18 gusht, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit do të votojnë kundër”, theksoi kreu i partisë më të madhe opozitare.

Sipas tij, e vetmja rrugëdalje që ata e shohin janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Jemi në kushte të krimit të madh, korrupsionit të madh, paaftësisë, mungesës së reformave, një qeverie që nuk mund të japë dhe zgjidhjen e vetme logjike e shohim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Kreu i VMRO-së ka thënë se në të njëjtën kohë është e nevojshme të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor.“Duhet shpërbërja e Kuvendit, intervenimi në Kodin Zgjedhor, fshirja e qeverisë teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë”, theksoi Mickoski.