Ndryshimet kushtetuese, sfida e vitit në Maqedoninë e Veriut

Sigurimi i votave për të bërë ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Këto ndryshime janë një prej kritereve për të vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në korrik të vitit të kaluar.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani vlerëson se tani është koha që të fillojnë konsultimet formale me partitë politike dhe deputetët, në mënyrë që të arrihen votat e nevojshme. Ai nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës, derisa shton se duan bashkëpunuam me ata që janë në mbështetje të rrugës evropiane.

Pasi hapi negociatat me Bashkimin Evropian në verën e vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut tani është në procesin e “screening” pas përfundimit të së cilit duhen bërë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.

Ndryshimet nënkuptojnë futjen e komunitetit bullgar në preambulën e kushtetutës, për çka Osmani thotë se të njëjtat nuk janë kontroverse dhe nëse nuk bëhen ato ndryshime, pasojat janë të rënda për shtetin në rrugën drejt BE-së.

Osmani: Pa ndryshimet kushtetuese ndërpriten bisedimet me Bashkimin Evropian

“Raporti i opozitës karshi këtyre ndryshimeve kushtetuese e kanë vështirësuar këtë proces, prandaj nuk mund të them se kur do të përfundojë ky ndryshim, që kërkon dy të tretat e Kuvendit, shumicë e dy të tretave ose 80 deputetë… Nuk i kemi (80 deputetë), mirëpo duke vlerësuar se, nën një: Ndryshimet nuk janë kontroverse, nuk janë problematike për askënd, askush nuk ka argument të del të thotë pse jemi kundër, për momentin argumenti i opozitës është jemi kundër për shkak se Bullgaria po na kushtëzon dhe na ka futur në një pozitë nënçmuese në raportet tona por jo edhe për substancën e ndryshimeve kushtetuese, për vet përmbajtjen. Dhe e dyta arsye është për shkak se po që se nuk bëjmë ndryshime kushtetuese, ne na ndërpriten bisedimet me Bashkimin Evropian. Nga eksperienca e di që gjëja më e keqe që mund të ndodh në raport me Bashkimin Evropian është të humbni momentin të cilin e keni krijuar me vështirësi”, thotë ministri i Jashtëm.

Osmani pranon se sigurimi i votave në parlament do të jetë sfidë.

Ai thekson se ndryshimet kushtetuese marrin katër deri në gjashtë muaj, derisa shton se ato duhet të bëhen deri në nëntor të këtij viti, kur edhe përfundon procesi i “screening”-ut.

Osmani: Ndryshimet kushtetuese, sfida e vitit 2023

“Do të jetë sfidë e cila do e karakterizojë 2023-ën, këtë vit, por unë besoj se ashtu si shtet i kemi tejkaluar shumë sfida të tjera që kemi pasur para nesh, dhe kemi dal gjithmonë më të fortë në ato sfida, ashtu do e kalojmë atë… Prandaj, mendoj që koha veç është tani të nisim konsultimet formale institucionale, edhe pse konsultime joformale, konsultime ekzistojnë, partnerët ndërkombëtar janë të angazhuar duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij procesi… Me fillimin e këtij viti, duhet veçse t’i formalizojmë konsultimet ddhe ato të jenë të hapura dhe transparente, të nxisim opozitën të del dhe të tregojë pse janë kundër, dhe cila është alternativa që e ofrojnë duke qenë kundër një procesi të tillë, pastaj sigurisht përveç me partitë politike, edhe me deputetët një nga një, për shkak se në fund deputetët janë ata të cilët do të marrin vendimin”, thotë ai.

Osmani thekson se kjo është çështje që tejkalon interesat partiake, andaj shton ka hapësirë për zgjerim për të gjithë ata që janë në mbështetje të rrugës evropiane.