LSDM alarmon: Shkurtohen subvencionet për sportin, rriten shpenzimet administrative

Pançe Milevski – Panta nga Komisioni për Sport i LSDM-së akuzoi se me buxhetin e ri po shkurtohen fondet për zhvillimin e sportit dhe mbështetjen e sportistëve, ndërkohë që rriten shpenzimet administrative.

Sipas tij, subvencionet për sportin janë ulur për 20 për qind, nga 5,6 në 4,5 milionë euro, ndërsa fondet për infrastrukturën sportive janë shkurtuar për 30 për qind, nga 230 në 160 milionë denarë.

Milevski theksoi se janë reduktuar edhe fondet për federatat, klubet dhe sportistët e rinj, ndërsa shpenzimet për mallra dhe shërbime janë rritur për 25 për qind.

Ai kërkoi nga ministri i Sportit, Borko Ristovski, të sqarojë kriteret dhe destinimin e mjeteve në llogarinë e vetëfinancimit, të cilat rriten nga 270 në 370 milionë denarë.

Milevski akuzoi ministrin se, në vend të zhvillimit të sportit, po merret me promovimin dhe inaugurimin e projekteve të trashëguara nga pushteti i mëparshëm.