Ndotja e ajrit është rreziku më i madh për shëndetin në Evropë

Të paktën 238,000 njerëz në BE vdiqën para kohe në vitin 2020 për shkak të ndotjes së ajrit, pavarësisht se cilësia e ajrit në përgjithësi po përmirësohet, sipas shifrave të fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Analistët e agjencisë theksojnë se ndotja e ajrit është “rreziku më i madh për shëndetin në Evropë dhe se ndikon ndjeshëm në shëndetin e evropianëve, veçanërisht në qytete”; edhe pse ndotësit më të mëdhenj kanë reduktuar emetimet e tyre.

Sipas EEA, të paktën 238,000 njerëz vdiqën para kohe në vitin 2020 për shkak të ekspozimit ndaj PM2.5, me 96 për qind të popullsisë së qytetit të ekspozuar ndaj niveleve mbi rekomandimet e OBSH-së.

Në të njëjtën kohë, dioksidi i azotit shkaktoi 49,000 vdekje të parakohshme dhe ekspozimin e ozonit 24,000, tha EEA. Megjithatë, numri i vdekjeve të parakohshme për shkak të ekspozimit ndaj PM2.5 ra me 45 për qind nga viti 2005 në 2020.

“Nëse trendi vazhdon, BE-ja pritet të arrijë objektivin e saj për të reduktuar numrin e vdekjeve të parakohshme me 55 për qind deri në vitin 2030. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmbushur objektivin e ndotjes zero deri në vitin 2050 ose për të ulur ndotjen e ajrit në nivele jo të dëmshme për shëndetin”, thuhet në raport.