Ndërron jetë pishtari i arsimit shqip, profesor Fehim Ramadani

Profesor Fehim Ramadani lindi me 25.08.1936 në f. Sllupçan të Kumanovës ku dhe mbaroi shkollën fillore. Shkollën normale të mësuesisë e kreu në Shkup ndërsa studimet diplomike i vazhdoi në Shkup dhe Prishtinë në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik.
U punësua si një ndër mësuesit e parë në sh.f. “Jeta e Re” të fshatit Sllupcan dhe për 8 vite me rradhë ishte drejtor i kësaj shkolle. Gjatë kësaj periudhe ka bërë reforma drastike në këtë rrethinë duke inicuar shkollimin masiv të gjeneratave të reja në përgjithësi e të vajzave në vecanti. Ishte themelues i korit dhe orkestrës së parë të nxënësve në komunën e Likovës duke bërë kështu promovimin e vlerave artistike shqiptare në këtë rajon.
Më vonë punoi si profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ne gjimnazin “Goce Dellcev” në Kumanovë.
Qysh si gjimnazist ishte simbol i rezistencës patriotike dhe organizimeve të shumta atdhedashëse me ç’rast ishte i përndjekur politikisht dhe burgosur disa herë nga pushteti i atëhershëm për tu larguar nga puna përfundimisht në vitin 1981.
Pavarësisht sfidave të kohës, profesor Ramadani ushtroi me profesionalizëm punën e tij të pakrahasueshme duke përçuar dije te shumë gjenerata jo vetëm në lëndën që ligjëromte por edhe në frymën patriotike e arsimdashëse.

E kujtojnë me mall dhe dashurinë e njejtë të cilën ai ua percjelli tërë jetën, tre djemtë, dy vajzat, nipërit dhe mbesat. Koha që do të kalojë kurrë nuk do ta shuajë dhimbjen, kujtimin, dashurinë dhe respektin per të.

Varrimi i të ndjerit behet nesër me datë 15.06.2023 në varrezat e fshatit Opajë të Kumanovës me namazin e drekës.