Ndërron jetë ish-senatori amerikan, Bob Dole

Ish-senatori amerikan, Bob Dole, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare , njoftoi familja e tij.

“Senatori Robert Joseph Dole vdiq në gjumë, mëngjesin e sotëm”.

“Ai u ka shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, tha familja e tij përmes një deklarate.

Në muajin shkurt të këtij viti, senatori Dole ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer në mushkëri.

“Kam disa vështirësi përpara, por gjithashtu e di se iu bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore”, ka thënë atëbotë Dole.

Ai ka shërbyer si udhëheqës i shumicës në Senat dhe ka qenë kandidat i Partisë Republikane për president të SHBA-së në vitin 1996.

Në vitin 1990, Dole udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë.

Në gusht të vitit 2020, në Prishtinë është vendosur busti i tij.

Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole.