Ndërpritet seanca e Kuvendit pas një debati të ashpër dhe shumë ndërhyrjeve procedurale

Debati i ashpër në Kuvend u ndërpre. Paraprakisht koordinatorët e grupeve parlamentare, disa nga deputetët dhe kryetari i parlamentit për më shumë se dy orë, përmes ndërhyrjeve procedurale, debatuan nëse do të votonin për 21 pikat nga seanca e 32-të dhe më pas të vazhdonin me seancën e 36-të, apo për të shtyrë votimin për shkak të mungesës së kuorumit dhe për të vazhduar seancën e 36-të, e cila përfshin tre ligje nga pakoja e pestë e masave anti-krizë.

Gjatë debatit koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski tha se tre deputetë nga radhët e tyre janë në spital për shkak të Kovid-19, dhe për shkak të kësaj mazhoranca nuk ka kuorum.

Nga ana tjetër kryetari i parlamentit Talat Xhaferi këmbënguli që të votohen 21 pikat nga seanca e 32-të dhe më pas të rifillojë me seancën e 36-të, ndërkohë që opozita kërkoi që votimit të shtyhej nëse shumica parlamentare nuk ka kuorum dhe të filloj seanca e 36-të. Opozita vendosi të largohej nga salla për të mos krijuar kuorum për votimin e pikave të seancës së 32-të./Alsat