Ndërpriten kërkimet në varrezat masive në Kizhevak të Serbisë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë, Ramë Manaj tha se kërkimet në Kizhevak të Rashkës janë ndërprerë dje për shkak të motit të ligë.

“Sot mund të njoftojmë që në kërkimet qe kanë filluar muajin e kaluar. Njërën prej varrezave masive, dje janë ndërprerë për shkak të rrethanave të motit. Kërkimet do të vazhdojnë në pranverë, sapo të ofrohen kushtet klimatike. Ka pasur rezultate por me shumë kushtëzim. Përveç kësaj komisioni është marrë edhe me punë tjera”, theksoi Manaj.

Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka dhënë detaje për gjetjet e të pagjeturve.

“Duke ju falënderuar imazheve satelitore amerikane, është gjetur edhe koordinata me gjetjen e varrezës. Është punuar nga 16 nëntori, për 10 ditë çështja logjistike nga pala serbe. Ekipet tona nga Kosova kanë qenë vazhdimisht në lokacion. Dje për shkak të motit e kemi ndal punën. Deri më tani janë tërhequr pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjejtjes”, ka deklaruar ai.

Gërxhaliu tha se janë tri grupacione te cilat janë përdorur për fshehjen e krimit.

“Ujërat, minierat dhe vendet apo varrezat civile janë përdorur për fshehjen e krimit. Dhe këto na kanë shkaktuar edhe vështirësi për gjetjet. Deri më tani janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe, janë marrë mostrat për ADN. Mund të bëhet fjalë për 4-5 persona të cilët janë tërhequr nga si lokacion. Vendi është konservuar me standarde antropologjike”, tha Gërxhaliu.

Tutje, Kushtrim Gara tha se gjatë vitit janë bërë kërkime në 7 lokacione.

Ndryshe, për disa ditë radhazi në këtë lokacion ka pasur kërkime nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.