Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Bashkim Fino, Qeveria shqiptare shpall 29 marsin ditë zie kombëtare

Qeveria shqiptare ka shpallur 29 marsin ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit të Pajtimit Kombëtar, deputetit dhe politikanit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi humbi betejën me koronavirusin. Në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore shqiptare, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë. Ceremonia e homazheve do të zhvillohet sot nga ora 12:00-16:00 në Pallatin e Kongreseve.Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962, në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.